Qeveria e Senegalit ka kërkuar një hetim të pavarur ndërkombëtar ndaj Konfederatës Afrikane të Futbollit, duke ngritur dyshime për korrupsion pas vendimit që i hoqi kombëtares senegaleze titullin e Kupës së Kombeve të Afrikës 2025 dhe ia kaloi atë Marokut. Autoritetet në Dakar e kanë cilësuar këtë si një vendim “jashtëzakonisht të rëndë”, të bazuar, sipas tyre, në një interpretim të gabuar të rregullores dhe në një padrejtësi të thellë.
Senegali e kishte fituar fillimisht finalen 1-0 ndaj Marokut në muajin janar, por CAF e përmbysi rezultatin pasi vlerësoi se skuadra senegaleze e kishte humbur ndeshjen në tavolinë. Shkaku ishte largimi i përkohshëm i lojtarëve nga fusha në shenjë proteste, pasi Marokut iu akordua një penallti në minutat shtesë. Edhe pse skuadra u kthye më pas në lojë, penalltia e Brahim Diaz u prit dhe Pape Gueye shënoi golin e fitores në shtesë, organi afrikan vendosi më pas që ndeshja të regjistrohej 3-0 në favor të Marokut.
Federata Senegaleze e Futbollit ka bërë të ditur se do ta çojë çështjen në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), duke e konsideruar vendimin e CAF si të padrejtë, të paprecedentë dhe të papranueshëm. Sekretari i përgjithshëm i federatës, Abdoulaye Seydou Sow, deklaroi se Senegali nuk do të tërhiqet dhe se do t’i mbrojë të drejtat e tij deri në fund. Në të njëjtën linjë kanë reaguar edhe disa lojtarë të kombëtares, të cilët kanë lënë të kuptohet se nuk e njohin këtë përmbysje të rezultatit si legjitime.
Ngjarja ka shkaktuar jehonë të madhe në futbollin afrikan dhe më gjerë. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e ka cilësuar si të papranueshme largimin nga fusha në formë proteste, ndërsa IFAB ka hapur diskutime për mënyrën se si duhet të trajtohen raste të tilla në të ardhmen. Debati është thelluar edhe më shumë për shkak të polemikave të shumta rreth arbitrimit dhe përdorimit të VAR-it gjatë turneut, me akuza të përsëritura se Maroku është favorizuar në disa episode kyçe.
Për Senegalin, beteja tani zhvendoset nga fusha te institucionet, në një çështje që rrezikon të lërë pasoja të forta për besueshmërinë e CAF dhe për imazhin e futbollit afrikan në tërësi.











