Si e gjejnë dhe e ngrenë në detyrë stafin punëdhënësit më të mirë britanikë? Nuk keni diplomë? Disa punëdhënës duan t’ia dinë më pak se të tjerët, shkruan The Economist. Për të gjetur punë në kompaninë prestigjioze Schroders, një nga menaxherët e fondeve më të vjetër dhe më të nderuar në Britani, do bënit mirë të shmangnit disa universitete.
“Ne nuk ndjekim më zakonin e vjetër të punësimit të të diplomuarve në histori nga Oxbridge (Oxford ose Cambridge)”, thotë Peter Harrison, shefi i sapolarguar i kompanisë Schroders, i cili u punësua për herë të parë në kompani në vitet 1980, si një nga të diplomuarit e parë nga një universitet tjetër përveç Oxford ose Cambridge.
Tani, kompania po hedh një rrjetë më të gjerë peshkimi, duke hapur dyert edhe për ata që nuk kanë diploma, por që kanë talent për shkenca kompjuterike. Schroders nuk është kompania e vetme që po shkon drejt asaj që burimet njerëzore e quajnë “punësim i mbështetur në aftësi”. Sipas firmës së rekrutimit Hays, gati gjysma e punëdhënësve britanikë thonë se një diplomë nuk është më e rëndësishme. Kjo metodë e re rekrutimi zgjeron grupin e aplikantëve dhe rrit mbajtjen e punonjësve.
Të punësuarit pa diploma kanë më shumë gjasa të qëndrojnë në një kompani, sesa bashkëmoshatarët e tyre të arsimuar në universitet, sipas një hulumtimi të kryer në Amerikë. Por shumë firma ndjekin një qasje më tradicionale. Treguesi britanik i mundësive, që është një grup i ri të dhënash, i krijuar nga Instituti Burning Glass, një organizatë kërkimore jofitimprurëse, ka vëzhguar se sa shumë kompanitë britanike i ndihmojnë njerëzit që të ngjisin shkallët e karrierës.
Ndër të tjera, studimi ka zbuluar se firmat ndryshojnë shumë në varësi të kushteve që vendosin për punësim: në 20% të kompanive më prestigjioze të punësimit, ka një shans prej 67% që një vend pune të mos kërkojë një diplomë, krahasuar me një shans prej vetëm 36% për 20 përqindëshin e kompanive më të rëndomta që ofrojnë një vend pune (shih grafikun).
Sfida e gjetjes dhe mbajtjes së punonjësve të mirë, tani është më e rëndësishme se kurrë. Buxheti i parë i qeverisë laburiste rriti kontributet e sigurimeve kombëtare të punëdhënësve. Shëndeti i dobët ka larguar miliona njerëz nga fuqia punëtore: Britania është i vetmi vend në G7, ku shkalla e mungesës së veprimtarisë ekonomike është ende më e lartë se në kohën para pandemisë Covid-19. Shefat ankohen vazhdimisht se mungojnë aftësitë në fushën e inteligjencës artificiale dhe më gjerë.
Të gjitha këto probleme mund të përmirësohen ose të përkeqësohen nga qeveria. Por kur njerëzit janë më të kushtueshëm për t’u punësuar dhe aftësitë mungojnë, firmat duhet të përpiqen të ndihmojnë veten. Instituti Burning Glass ka analizuar rreth 20 milionë profile profesionale, së bashku me njoftimet e vendeve të punës dhe të dhënat e pagave, për të nxjerrë të dhënat profesionale në katër kategori: qasja në punë, ngritja në detyrë, paga dhe mbajtja e punëtorëve, për 151 kompani britanike.
Së bashku, këto kompani punësojnë gati një në dhjetë punëtorë në vend. Për t’i krahasuar kompanitë në baza të ngjashme, treguesi kontrollon përbërjen profesionale të një firme. Për shembull, njësia britanike e gjigantit Coca-Cola është në krye të renditjes, jo sepse paguan pagat më të larta absolute, por sepse arrin pikë të larta në përzierjen profesionale të punëtorëve që punëson.
Kjo metodologji sigurisht që nuk është e përsosur. Të dhënat publike nuk janë gjithmonë të besueshme, për shembull, treguesi në fjalë nuk merr parasysh ecurinë financiare. Por themeli i tij qëndron. “Ka mundësi të larmishme nëpër kompani, madje edhe brenda të njëjtit sektor”, thotë Matt Sigelman, presidenti i Institutit Burning Glass. “Kjo do të thotë se ju nuk jeni të burgosur të modelit tuaj të biznesit”.
Marrim fushën ku kompania Schroders ka ndryshuar metodë: qasjen ndaj vendeve të punës. Treguesi i vlerëson firmat britanike duke u mbështetur në dy matje: përqindja e të punësuarve të rinj që kanë më pak se tre vjet përvojë pune, dhe pjesa e punonjësve në kompani që janë pa diplomë universitare.
Brenda industrive ka variacione. Chanel, një shitës me pakicë veshjesh luksoze, punëson më shumë njerëz pa diplomë ose pa përvojë, sesa firma Burberry. Zhvilluesit e softuerit që nuk kanë marrë diploma, kanë më shumë gjasa të punësohen nga kompania Amazon sesa nga Meta.
Kandidatët pa diploma që kërkojnë role në fushën e shërbimit ndaj klientit, kanë një shans më të lartë për sukses në kompaninë e sigurimeve Aviva, sesa në rivalin e saj, Legal & General. BAE Systems, kontraktori më i madh i mbrojtjes në Britani, i lejon të rinjtë që të fitojnë një pagë dhe një diplomë në të njëjtën kohë. Në fushat ku Britania nuk ka të diplomuar, si inxhinieria e hapësirës ajrore, firma e plotëson vetë boshllëkun duke ofruar praktika për diploma.
Role si saldimi i nëndetëseve dhe mirëmbajtja e avionëve, janë gjithashtu të vështira për t’u rekrutuar në tregun e hapur. Mbi 20,000 kandidatë aplikuan për më pak se 1,300 role praktikante në kompaninë BAE Systems këtë vit. Matja e dytë që bën treguesi janë ngritjet në detyrë. Kjo matje përbëhet nga katër tregues: sa gjasa ka që punonjësit të ngrihen në detyrë dhe sa shpesh, sa më shumë paguhen për rrjedhojë, dhe shanset që kanë për të gjetur një punë gjetiu me një pagë të mirë.
Përsëri, disa firma ofrojnë shumë më tepër hapësirë për përparim, se të tjerat. Probabiliteti që dikush të ngrihet në detyrë brenda tre viteve, është dy herë më i madh në 20% të kompanive më prestigjioze, sesa në firmat e tjera. Madhësia e fuqisë punëtore vendase pa dyshim që ka njëfarë ndikimi. Bankat me seli në Britani si HSBC dhe Lloyds, kanë një ecuri më të mirë se ato të huaja si Société Générale dhe Deutsche Bank; shitës me pakicë si Marks & Spencer dhe Next renditen më lart se kompania Zara. Por edhe menaxhimi ka një ndikim.
Të dhënat në lidhje me mundësitë e karrierës nuk janë gjithmonë të disponueshme: një analizë e punëkërkuesve në botë në vitin 2021 nga kompania Gartner, zbuloi se gati gjysma e tyre nuk ishin mirë në dijeni të vendeve të lira të punës në vendin e vet. Trajnimi ndihmon edhe perspektivat e ngritjes në detyrë të njerëzve, si brenda firmave dhe më gjerë. Kompanitë britanike nuk kanë një nam të mirë në trajnime.
Në këtë fushë, ato shpenzojnë gjysmën e mesatares së BE-së për punëtor, dhe një tarifë e cila hyri në fuqi në vitin 2017 duket se i ka përkeqësuar gjërat. Por disa punëdhënës shohin anën e mirë. Chris Rea, themeluesi i kompanisë AES Engineering, thotë se ka vënë re një “kthim domethënës fitimesh” nga përmirësimi i aftësive të fuqisë punëtore. Kompania BAE Systems i dyfishoi shpenzimet për trajnime, në 230 milionë paund, midis viteve 2019 dhe 2023, thotë drejtori i saj Richard Hamer.
Është një histori e ngjashme edhe me kategorinë e pagave dhe mbajtjes së punëtorëve. Treguesi llogarit se sa paguhet një punonjës mesatar në çdo profesion të caktuar në një kompani, së bashku me ndryshimet në pagë gjatë vitit të kaluar. Një e pesta e kompanive më prestigjioze britanike, i paguajnë shkencëtarët e të dhënave një pagë mesatare prej 73,000 paund (92,000 dollarë) në vit, krahasuar me 38,000 paund që paguhen ata në kompanitë më pak të njohura. Industritë me marzh të ulët pagash, si hoteleria dhe shitja me pakicë, priren të paguajnë më pak se ato me marzh të lartë, por ka edhe përjashtime.
Për shembull, menaxherët e marketingut në zinxhirin e supermarketeve Ocado, renditen në vendin e pestë për pagat më të larta për profesionin e tyre, ndërsa ata që punojnë në kompaninë Marks & Spencer, renditen të pestët nga fundi. Ndërsa disa punëdhënës e ndërrojnë shpesh stafin, të tjerë i vënë rëndësi mbajtjes së punëtorëve. Gjasat për të mbetur të punësuar pas tre vjetësh te kompanitë më të vlerësuara, janë 71%, krahasuar me 45% për ato të renditura më dobët. Qarkullimi i lartë i stafit është i kushtueshëm, edhe për punëtorët me paga të ulëta.
Zëvendësimi i tyre mund t’u kushtojë punëdhënësve deri në 35% të të ardhurave vjetore të personit që largohet, sipas Joseph Fuller nga Fakulteti i Biznesit në Harvard. Beazley, një kompani sigurimi në Londër, punon shumë për t’i mbajtur njerëzit të kënaqur. “Sigurimi nuk është në shënjestër të shumë prej atyre që kanë lënë shkollën”, pranon Liz Ashford, shefja e burimeve njerëzore në Beazley.
Kompania mundëson përfitime të ndryshme: dreka dhe udhëtime të paguara; një pagë mujore prej 100 paund për veprimtaritë e mirëqenies fizike; shpërblime për përfundimin e çdo kualifikimi të arritur; si dhe pushime tremujore për çdo dhjetë vjet shërbim. Firma ka një normë vjetore largimi të punonjësve prej 8.3%, krahasuar me mesataren e industrisë prej 12%.
Punëkërkuesit e kanë të vështirë të kuptojnë se cili punëdhënës është më i mirë. “Nuk ka etiketa ushqimore për punët”, thotë zoti Sigelman. Ju mund të pyesni punëdhënësit se sa mirë renditet kompania e tyre në kategoritë që shqyrton treguesi ynë. Ose mund t’i shqyrtoni vetë të dhënat dhe të vendosni./ Monitor