Një protestë e zhvilluar mbrëmjen e djeshme nga mbështetësit e Partisë Demokratike në Tiranë është shoqëruar me tensione dhe përplasje me policinë, duke sjellë arrestimin e 14 personave, ndërsa 9 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë. Mes të shoqëruarve ka pasur edhe të mitur, të cilët më pas janë lënë të lirë.
Tubimi, i cili zgjati më shumë se tre orë, u udhëhoq nga kryedemokrati Sali Berisha dhe deputetë të djathtë. Fillimisht protesta u zhvillua para Kryeministrisë, por më pas situata u përshkallëzua.
Protestuesit sulmuan me molotovë Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Infrastrukturës dhe selinë e Partisë Socialiste. Gjatë përplasjeve u dogj një automjet policie dhe një autobot uji. Nga ana tjetër, Policia e Shtetit ndërhyri me autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Gjatë protestës, Sali Berisha u lëndua nga një spray në sy dhe pati probleme me frymëmarrjen. Ai u largua fillimisht drejt banesës së tij, por u rikthye më pas në protestë i pajisur me maskë kundër gazit lotsjellës.
Si pasojë e përplasjeve, tre efektivë policie mbetën të lënduar. Në përfundim të tubimit, Berisha mbajti një fjalim, ku paralajmëroi se protesta e radhës do të jetë “edhe më e shkëlqyer”.











