Polonia ka vendosur të nisë prodhimin e minave kundër-njerëzore për herë të parë që nga Lufta e Ftohtë dhe planifikon t’i vendosë ato përgjatë kufirit lindor, si dhe mund t’i eksportojë në Ukrainë. Kështu ka deklaruar zëvendësministri i mbrojtjes polake për Reuters.
Duke iu bashkuar një ndryshimi më të gjerë rajonal, ku pothuajse të gjitha vendet evropiane që kufizohen me Rusinë (përveç Norvegjisë) kanë shpallur planet për t’u tërhequr nga traktati global që i ndalon këto armë, Polonia synon t’i përdorë minat kundër-njerëzore për të forcuar kufijtë me Bjellorusinë dhe Rusinë.
“Jemi të interesuar për sasi të mëdha sa më shpejt të jetë e mundur,” tha zëvendësministri i mbrojtjes Pawel Zalewski për Reuters.
Minat do të jenë pjesë e programit mbrojtës “Mburoja Lindore”, i cili synon të fortifikojë kufijtë e Polonisë me Bjellorusinë dhe enklavën ruse të Kaliningradit.
I pyetur nëse prodhimi i minave mund të fillojë vitin e ardhshëm, pasi të përfundojë procesi i tërheqjes nga Konventa e Otavës, Zalewski tha: “Do ta doja shumë… Kemi nevoja të tilla.”









