Një debat televiziv në televizionin publik të Armenisë u kthye në një përleshje fizike, pasi dy të ftuar shkëmbyen fillimisht fyerje dhe kërcënime, përpara se të godisnin njëri-tjetrin gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë.
Në qendër të incidentit ishin gazetari Boris Murazian, i cili përfaqësonte opozitën, dhe politologu Harutyun Mkrtchyan, mbështetës i kryeministrit armen Nikol Pashinyan.
Përplasja ndodhi gjatë emisionit politik “The Great Debate”, ku diskutohej agjenda politike e forcave të bashkuara opozitare. Debati verbal u përshkallëzua me shpejtësi, ndërsa dy të ftuarit shkëmbyen akuza, fyerje dhe kërcënime, derisa u ngritën nga vendet e tyre dhe nisën të godisnin njëri-tjetrin.
Përleshja detyroi ndërprerjen e emisionit, ndërsa ndërhyrja e personelit të sigurisë ishte e nevojshme për të ndarë dy protagonistët.
Televizioni Publik Armen publikoi pamjet e incidentit më 16 nëntor, një ditë pas ngjarjes së ndodhur më 15 nëntor.
Ngjarja shkaktoi reagime të forta politike dhe institucionale. Komisioni i Televizionit dhe Radios në Armeni shprehu shqetësimin për transmetimin e fyerjeve dhe skenave të dhunës fizike pa ndërhyrje montazhi.
Ndërkohë, portali armen Hraparak publikoi një artikull ku trajton të kaluarën e dy personave të përfshirë në sherr, duke ngritur edhe pretendime lidhur me lidhjet e tyre politike.











