Udhëheqësit kryesorë të grupit palestinez Hamas nisën sulmin e tyre ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, me qëllim që të pengonin negociatat e paqes midis Izraelit dhe Arabisë Saudite, sipas procesverbalit të një takimi të nivelit të lartë në Gaza që ushtria izraelite tha se e zbuloi në një tunel poshtë enklavës.
Zbulimi është bërë nga The Wall Street Journal.

Disa ditë para sulmit që la gati 1,200 të vdekur, Yahya Sinwar, kreu i Hamasit në Gaza, u tha militantëve të tjerë se një “akt i jashtëzakonshëm” ishte i nevojshëm për të prishur bisedimet e normalizimit, të cilat ai tha se rrezikonin margjinalizimin e kauzës palestineze.
Plani funksionoi, por me një çmim të tmerrshëm.
Sulmi i tetorit, pasoi një operacion ushtarak izraelit dhe pas më shumë se dy vitesh më shumë se 53,000 palestinezë janë vrarë, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.
Kjo ka nxitur zemërim në të gjithë botën arabe dhe më gjerë.
Protokolli i takimit (2 tetor 2023) nga një takim i byrosë politike të Hamasit në Gaza, citon Sinwar: “Nuk ka dyshim se marrëveshja e normalizimit saudito-sionist po përparon ndjeshëm”.
Ai paralajmëroi se një marrëveshje do të “hapte derën për shumicën e vendeve arabe dhe islamike që të ndjekin të njëjtën rrugë”.
Për Sinwarin dhe Hamasin, të cilët kanë bërë thirrje për shkatërrimin total të Izraelit dhe krijimin e një shteti palestinez midis lumit Jordan dhe Detit Mesdhe, kjo ishte e papranueshme. Sinwar tha se ishte koha për të nisur një sulm që kishte qenë në fazat e planifikimit për dy vjet.
Qëllimi, tha ai, është “të sjellë një lëvizje të madhe ose një ndryshim strategjik në rrugët dhe ekuilibrat e rajonit në lidhje me kauzën palestineze”.
Hamasi nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi vërtetësinë e dokumentit apo përmbajtjen e tij.
Zyrtarët e inteligjencës arabe, thanë se dokumenti duket i vërtetë, ashtu si edhe të tjerët që ushtria izraelite thotë se i ka gjetur në Gaza.
Këto dokumente, të shqyrtuara nga Journal, tregojnë shqetësim në rritje midis udhëheqësve të Hamasit në lidhje me progresin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA-të midis Izraelit dhe Arabisë Saudite. Zyrtarët e të tre vendeve thanë në vitin 2023 se mosmarrëveshjet po ngushtoheshin.
Ky arkiv më i ri i të dhënave të Hamasit shton një hallkë të re në zinxhirin e ngjarjeve që çuan drejt 7 tetorit 2023, dita më vdekjeprurëse për izraelitët që nga themelimi i vendit.
Shumë nga figurat e përfshira drejtpërdrejt në planifikimin e sulmeve të 7 tetorit tani janë të vdekur.
Sinwar u vra nga trupat izraelite në Gaza tetorin e kaluar. Shumica e udhëheqësve të tjerë të lartë të Hamasit në Gaza janë vrarë gjithashtu, përfshirë disa që ishin të pranishëm në takimin e byrosë politike më 2 tetor, siç është Marwan Issa.
Izraeli ka vrarë gjithashtu udhëheqës të lartë të Hamasit në mërgim, përfshirë Ismail Haniyeh, i cili ishte personi më i fuqishëm në lëvizje së bashku me Sinwar. Të martën, një sulm ajror izraelit në Gaza shënjestroi vëllain e Sinwar, Mohammed, kreun e operacioneve ushtarake të Hamasit.
Megjithatë nuk është e qartë nëse ai është vrarë.
Ndër dokumentet e tjera të brendshme të Hamasit të gjetura nga ushtria izraelite dhe të shqyrtuara nga Journal ishte një raport i shtatorit 2023 që rekomandonte përshkallëzimin e konfliktit në Bregun Perëndimor dhe Jerusalem për ta bërë më të vështirë normalizimin e marrëdhënieve saudite-izraelite.
Raporti shprehu mosbesim ndaj premtimeve saudite për të mbështetur interesat palestineze, duke i quajtur ato “hapa të dobët dhe të kufizuar për të neutralizuar” Hamasin dhe për ta ndaluar atë të luftojë kundër normalizimit.
Marrëdhëniet e Arabisë Saudite me Hamasin e mbështetur nga Irani kishin qenë të acaruara që kur Hamasi mori me dhunë kontrollin e Rripit të Gazës nga fraksioni rival palestinez Fatah.
Një informim i brendshëm i shënuar si “sekret” nga gushti 2022, i shkruar nga udhëheqja ushtarake e Hamasit, përfundon: “Është bërë detyrë e lëvizjes të ripozicionohet për të … ruajtur mbijetesën e kauzës palestineze përballë valës së gjerë të normalizimit nga vendet arabe, e cila synon kryesisht të likuidojë kauzën palestineze.”
Në përgjigje, Hamasi po forconte koordinimin e tij me Hezbollahun, si dhe me fraksione të tjera militante palestineze, thuhet në njoftim.
Normalizimi saudito-izraelit do të shënonte ndryshimin më të madh në pozicionin politik të Izraelit në Lindjen e Mesme që kur ai nënshkroi traktate paqeje me Jordaninë dhe Egjiptin dekada më parë. Në vitin 2020, Izraeli vendosi gjithashtu marrëdhënie të plota diplomatike me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin, marrëveshje të njohura si Marrëveshjet e Abrahamit.