Gazetari Artur Zheji pësoi arrest kardiak teksa po festonte ditëlindjen e djalit të tij, Patrik, në një restorant në rrugën “Butrinti” në Sarandë.
Miqtë e tij tregojnë se Zheji vuante edhe nga diabeti. Atij iu dha ndihma e parë dhe u nis me urgjencë drejt spitalit, por për fat të keq nuk arriti t’i mbijetonte goditjes në zemër.
Vdekja e tij e parakohshme ka tronditur thellë opinionin publik, teksa të shumtë janë gazetarët dhe politikanët që kanë reaguar.
Ministri Taulant Balla shkroi “Shumë, shumë i trishtë lajmi për ndarjen e parakohshme të gazetarit Artur Zheji. U prehsh në paqe mik!”
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha se “është trishtim i madh kur një mik dhe një profesionist si ai humbet jetën në mënyrë kaq të papritur dhe në kulmin e pjekurisë jetësore dhe profesionale. Një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme, jo vetëm për familjen e tij, por edhe për komunitetin e gazetarëve, me të cilët ndaj ngushëllimet e mia më të sinqerta!”
Teatri Kombëtar shpreh dhimbjen për ndarjen nga jeta të Artur Zhejit i cili jo vetëm si gazetar, por edhe publicist dhe dramaturg ka lënë gjurmë në skenën teatrore shqiptare.
“Në krijimtarinë e tij, fjala u bë reflektim i kohës dhe i shoqërisë, duke pasuruar jo vetëm medien dhe debatin publik, por edhe skenën tonë kombëtare. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në historinë e artit dhe kulturës sonë. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë komunitetit artistik”, thuhet në mesazhin e Teatrit Kombëtar.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka shprehur ngushëllime pas ndarjes së parakohshme nga jeta të gazetarit dhe publicistit të njohur, Artur Zheji.
“Me një karrierë të gjatë dhe të pasur në fushën e publicistikës dhe medias, Zheji u shqua si një nga personalitetet më të respektuar të gazetarisë shqiptare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme me analizat, shkrimet dhe kontributin e tij në zhvillimin e mendimit kritik e profesional në vend. Në këtë moment të dhimbshëm, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, kolegëve dhe miqve të tij, duke ndarë me ta dhimbjen për humbjen e një personaliteti të rrallë të medias shqiptare”, thuhet në mesazh.