Pesë persona janë arrestuar kohët e fundit, duke e çuar numrin total të të arrestuarve për grabitjen e xhevahireve nga muzeu i Luvrit në shtatë. Ky rast ka tronditur Francën dhe ka tërhequr vëmendjen globale. Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, ka sqaruar se një nga të arrestsuarit e rinj dyshohet të ketë qenë pjesë e një bande prej katër personash që realizoi grabitjen, duke u maskuar si punëtorë ndërtimi për të hyrë në muze dhe për të marrë bizhuteritë historike të epokës së Napoleonit.
Pas 11 ditësh kërkimesh intensive, autoritetet kanë arritur të kapin tre nga katër autorët e dyshuar, por thesaret me vlerë mbi 100 milionë dollarë ende nuk janë gjetur. Ekspertët sugjerojnë se bizhuteritë, përfshirë një gjerdan smeraldi me mbi 1,000 diamante, mund të jenë çmontuar për t’u shitur si lëndë të para.
Arrestimet e fundit u realizuan në Paris dhe përreth, duke përfshirë regjionin e Seine-Saint-Denis. Dy individët e parë u prangosën gjatë fundjavës së shkuar, me një prej tyre që tentoi të arratisej në Algjeri përmes aeroportit Charles de Gaulle. Të dy kanë pranuar pjesërisht përfshirjen e tyre pas 96 orësh marrjeje në pyetje. Një nga të arrestuarit është 34 vjeç, shtetas algjerian, i identifikuar me ADN-në që u gjet në një skuter të përdorur gjatë grabitjes. Tjetri është një 39-vjeçar nga Aubervilliers, i njohur më parë për vjedhje dhe i identifikuar përmes gjurmëve të ADN-së në një xham të thyer.
Grabitja ka ngjallur debate të forta në lidhje me sigurinë në muzeun më të vizituar në Francë. Drejtori i Luvrit, Laurence des Cars, ka pranuar para Senatit francez se zona e hyrjes ku u futën hajdutët nuk ishte e mbuluar nga kamerat e sigurisë, një fakt që ka shqetësuar shumë besimtarët dhe vizitorët e institucionit. Kjo ngjarje e rëndë thekson nevojën për përmirësime të menjëhershme në masat e sigurisë.











