Pas takimit me Ramën, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të zhvillojë sot vizitën zyrtare në Kosovë si pjesë e turit të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas planifikimit Ursula pritet të takohet me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe me kryeministrin Albin Kurtin.
Në fokus të vizitës pritet të jenë perspektiva evropiane e Kosovës, procesi i integrimit në Bashkimin Evropian dhe hapat që vendi duhet të ndërmarrë në këtë drejtim. Një tjetër temë e rëndësishme pritet të jetë mbështetja e BE-së përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Pas Prishtinës, von der Leyen pritet të udhëtojë drejt Podgoricës, ndërsa turneu do të përfundojë më 2 tetor në Shkup.
Në një konferencë të përbashkët ditën e djeshme me kryeministrin Edi Rama, theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë do të ishte i rëndësishëm si për vendin, ashtu edhe për Bashkimin Evropian.
Pas takimit në Kosovë, në të njëjtën ditë vizita do të vazhdojë edhe në Malin e Zi me presidentin Jakov Milatović dhe kryeministrin Milojko Spajić.
Përmbyllja e turneut do të jetë të premten ku në Maqedoninë e Veriut, Von der Leyen do të takojë presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryeministrin Hristijan Mickoski.











