Kryedemokrati Sali Berisha e cilësoi këtë seancë parlamentare si “më të turpshmen” dhe akuzoi mazhorancën se vendi po përballet me një krizë të rëndë të sigurisë kombëtare. Ai tha se Ergys Agasi ka pasur ndikim të madh mbi institucionet e sigurisë dhe se fuqinë e tij e ka marrë nga Edi Rama.
Berisha akuzoi ish-drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni, se ka pasur rol në këtë skemë. Sipas tij, emërimi i saj në krye të shërbimit informativ ishte në kundërshtim me interesat e sigurisë kombëtare.
“Vlora Hyseni shkarkonte secilin prej jush me porosi të Ergys Agasit”, deklaroi Berisha, duke iu drejtuar deputetëve të mazhorancës.
Ai e akuzoi gjithashtu Hysenin për bashkëpunim me struktura kriminale dhe për nxjerrje të sekreteve shtetërore. Sipas tij, problemi më i madh është shembja e sistemit të sigurisë kombëtare.
Nuk la pa ‘ngacmuar’ dy socialistët, Ulsi Manja dhe Damian Gjiknuri.
“Damian, e ke vetë parasysh ti. Nuk je i vetmi ti, janë shumë si ti. Se e shihja se po bëje sikur nuk po dëgjoje. Ulsi, shko merr dosjen sa herë të del emri aty. Por prapë, në këtë rast, tragjike është se është shembur piramida e sigurisë.”











