Policia e Tiranës ka parandaluar një ngjarje të mundhsme kriminale kundër personit dhe pronës dhe ka vënë në pranga një 37-vjeçar.
37-vjeçari kishte siguruar për qëllime kriminale lëndë eksplozive, lëndë djegëse, armë zjarri dhe një motomjet të dyshuar të vjedhur, pa targa.
Në momentin e ndalimit, ai kishte vendosur maskë silikoni.
Në momentin që policia i ka bërë shenjë ndalimi motomjetit pa targa, me të cilin lëvizte 37-vjeçari, ky i fundit nuk i është bindur urdhrit të Policisë, por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi, me motomjet.
Si rezultat i ndjekjes policore, është bërë kapja dhe arrestimi i shtetasit P.D, në afërsi të liqenit të Paskuqanit.
Në momentin e ndalimit, është konstatuar se 37-vjeçari kishte vendosur maskë silikoni dhe gjatë kontrollit fizik dhe në motomjet, shërbimet e Policisë i gjetën sasi lënde eksplozive, gati për shpërthim, 10 litra lëndë djegëse dhe 1 armë zjarri (pistoletë) me municion.
Nga hetimet e mëtejshme dyshohet se shtetasi i arrestuar, P. D, më datë 03.10.2025, në rrugën “Besim Cera”, Paskuqan 1, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit Q. K., dhe më pas ka djegur automjetin e përdorur gjatë kryerjes së krimit, në afërsi të urës së fshatit Tapizë, si dhe më datë 17.10.2025, në rrugën “Unaza e Madhe”, Paskuqan 2, ka hedhur një sasi lënde plasëse në banesën e shtetasit Rr. D., ngjarje nga e cila janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Më tej, dyshohet se motomjeti me të cilin 37-vjeçari u konstatua duke lëvizur gjatë natës, në rrugën “Mustafa Lita”, është i vjedhur.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të mundshëm të 37-vjeçarit, si dhe për zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale në të cilat mund të jetë përfshirë ai.











