Më 1 tetor, konferenca e kryetarëve rrëzoi kërkesën e opozitës për mocion me debat për Vlora Hysenin.
Opozita kërkoi që çështja të shqyrtohet në Parlament, duke vënë në fokus përgjegjësitë institucionale që lidhen me emërimin, ushtrimin e detyrës, mbikëqyrjen dhe largimin e ish-drejtoreshës së SHISH-it.
Por, mazhoranca argumentoi se çështja duhet t’u lihet institucioneve të drejtësisë, përkatësisht SPAK-ut dhe gjykatës, të cilat duhet të vijojnë procedurat sipas kompetencave të tyre. Sipas këtij qëndrimi, kërkesa e opozitës për mocion me debat nuk u mbështet.
Gjatë seancës së sotme plenare, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ashpër ndaj vendimit të mazhorancës, duke e akuzuar atë se ka bllokuar të drejtën e opozitës për të zhvilluar një mocion me debat për çështjen.
Berisha e cilësoi rastin si një prej skandaleve më të rënda të shtetit shqiptar dhe ngriti akuza ndaj ish-drejtoreshës së SHISH-it, duke pretenduar se ajo ishte e përfshirë në veprimtari kriminale dhe se pas emërimit ishte nën kontrollin e Ergys Agasit.
Berisha: Padriono i vendit urdhëroi shkelmimin e të drejtës kushtetuese të opozitës, deputetëve për mocion me debat për skandalin më të rëndë të shtetit shqipar, implikimin direkt të shefes së shërbimit në veprimtari kriminale me kartelet më të rrezikshme të drogës në Evropë, nëpërmejt koordinatorit Ergys Agasi. Që ju të bllokoni një mocion të tillë identifikoni veten, dëshmoni se çfarë jeni. Ju jeni anëtarë të grupit Agasi. Ju jeni anëtarë të organizatave dhe fakti që pranoni një vendim të tillë ju bën ju bashkëfajtorë dhe bashkëautorë me padrinon në këtë akt. Vlora Hyseni nuk kishte asnjë kriter që të emërohej në atë vend, veçse ishte shërbëtore e armiqve të Shqipërisë. Vlora Hyseni pas emërimit, fluturimthi shkoi në Beograd. Do të ishte Beogradi qyteti i parë që do vizitonte drejtuesja e SHISH. Vlora Hyseni qëkur është emëruar në atë detyrë kontrollohej totalisht nga Ergys Agasi dhe opozita i ka denoncuar të gjitha këto në kohë reale.











