Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, ka reaguar në lidhje me deklaratat e Edi Ramës i cili paralajmëroi ndryshime në legjislacion për mbrojtjen e Ballukut, ndërsa shtoi se Parlamenti nuk ka asnjë ngut për të kaluar në shqyrtim kërkesën e SPAK për arrestimin e saj.
Në një prononcim për News 24, Ambasada ka bërë thirrje të respektohet pavarësia e gjyqësorit, ndërsa shprehet se kjo e fundit është thelbësore në bashkëpunimin mes dy vendeve.
“Pavarësia e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri mbetet thelbësore për bashkëpunimin e vazhdueshëm mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit ndërkombëtar”,- thuhet në reagim.
Por përfaqësia diplomatike e SHBA ka shmangur komentet lidhur me çështjen Balluku, duke e konsideruar atë një çështje nën hetim.
“Nuk kemi koment për çështjet ligjore që janë në proces”.
Një ditë më parë një reagim erdhi nga Brukseli për deklaratat e Ramës, lidhur me çështjen Balluku.
“Është përgjegjësi e Parlamentit të Shqipërisë që të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij. Lufta efektive kundër korrupsionit është e një rëndësie thelbësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, gjë që është edhe pritshmëria e qytetarëve të saj”, thuhej në reagimin e Komisionit Europian.
SHBA, por edhe Bashkimi Europiane kanë mbështetur që në nisje Reformën në Drejtësi e më pas ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë. Mbështetja ka qenë e vazhdueshme për punën e Prokurorisë së Posaçme GJKKO dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke e vënë theksin tek lufta kundër korrupsionit dhe krimit.











