Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur hapjen e rrugës për zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar këtë si një zhvillim të rëndësishëm në drejtim të rikthimit të funksionalitetit institucional në vend.
Në një deklaratë për media, Osmani ka shprehur shpresën që ky proces të përmbyllet sa më shpejt, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe normat demokratike.
Ajo ka uruar për punë të mbarë kryetarin e ri të Kuvendit, Dimal Basha, si dhe nënkryetarët e zgjedhur: Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku, Kujtim Shala dhe Emilija Rexhepi, duke theksuar se pret nga udhëheqja e re e Kuvendit që të punojë në interes të qytetarëve dhe forcimit të institucioneve demokratike.
Presidentja ka bërë thirrje që Kuvendi të vijojë me hapat e radhës kushtetues dhe të procedojë, sa më parë, me votimin e Qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt.
“Respektimi i vullnetit të qytetarëve dhe përmbushja e detyrimeve kushtetuese janë thelbësore për stabilitetin dhe funksionimin demokratik të vendit,” thuhet ndër të tjera në reagimin e Presidencës.