Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Pasagjeri”, i zhvilluar nga Forca e Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të siguruar në rrugë operative për një shtetas që lëvizte i armatosur, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në bulevardin “Zhan D’ark” një automjet tip “Audi”, me drejtues shtetasin S. Z., 51 vjeç, dhe pasagjer shtetasin K. S., 31 vjeç.
Gjatë kontrollit të ushtruar, 31-vjeçarit iu gjet në çantën e dorës një armë zjarri pistoletë me krehër dhe municion, të cilën e posedonte pa leje. Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi K. S. u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, shtetasi S. Z., u procedua penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Arma e zjarrit, pistoletë me krehër dhe municion, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.










