Perimet dhe frutat janë rritur sërish këtë të hënë në tregjet me pakicë në kryeqytet.
Per domatet, kastravecat dhe një grup zarzavatesh të tjera, kryesisht nga importi, çmimet janë shtrenjtuar me rreth 20% . Vetëm domatet që vijnë nga Greqia kanë arritur deri në 400 lekë për kilogram në tregjet me pakicë.
“Çmimet sot janë rritur rreth 20% më shumë se ditët e tjera. Domatja dhe sallatori janë rritur më shumë, pasi pjesa më e madhe vjen nga importi.” “Kjo punë është çdo ditë në rritje. Qytetarët tani po marrin më pak, sepse janë mësuar me çmimet e larta. Zarzavatet janë rritur më shumë.” – shprehen tregtarët me pakicë në kryeqytet.
Ndërkohë, sipas ekspertëve, aktualisht ndodhemi përballë një rritjeje më shumë abuzive të çmimeve, sesa një shtrenjtimi të justifikuar nga rritja e çmimit të naftës në vend.
“Prej gati 2–3 javësh ka një rritje të frikshme nëse flasim për frutat dhe perimet, por edhe për produkte të tjera. Gjykimi im është se kemi të bëjmë me një fenomen abuziv. Shumica e perimeve sot janë nga importi, kryesisht nga Greqia ose Turqia, që nuk ndikohen nga konflikti në Iran apo nga bllokimi i ngushticës së Hormuzit. Por ajo që vërehet është se tregtarët në Shqipëri abuzojnë në gjithë zinxhirin e tregtimit.”, Granit Sokolaj, Ekspert i Bujqësisë.
Ndërsa për çmimet e produkteve vendase, që pritet të dalin së shpejti në treg, rritja konsiderohet më e justifikuar sipas ekspertëve.
“Nga ana tjetër kemi prodhimin vendas që sapo ka nisur dhe që realisht ka kosto shumë të larta. Çmimet me shumicë variojnë nga 200 deri në 350 lekë, në varësi të produktit. Në këtë rast nuk mund të flasim për abuzim, pasi prodhimi në sera është përmbytur dy herë dhe pritet që prodhimi vendas të jetë më i ulët. Edhe prodhimet e majit dhe qershorit do të ndikohen nga çmimet aktuale të inputeve bujqësore.”
Në këtë situatë, ndërsa qytetarët përballen çdo ditë me çmime gjithnjë e më të larta në treg, ekspertët kërkojnë më shumë kontroll dhe transparencë në zinxhirin e furnizimit për të shmangur abuzimet./ Vizion Plus











