Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka deklaruar në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve se paketa fiskale duhet të kishte ardhur bashkë me buxhetin.
Gjatë debateve me dyer të mbyllura, Bardhi u shpreh se ‘Ministri i Financave duhej ta kishte prezantuar këtu, dhe ne si Konferencë duhej të kishim miratuar një kalendar për shqyrtimin e kësaj pakete’.
Ai theksoi se mazhoranca nuk ka ndërmend të respektojë rregulloren dhe Kushtetutën.
“Na keni njoftuar se ka ardhur Paketa Fiskale. Ju kujtoj se duhej të kishte ardhur bashkë me buxhetin, por përtej kësaj duhet ndjekur e njëjta procedurë si me buxhetin. Ministri i Financave duhej ta kishte prezantuar këtu, dhe ne si Konferencë duhej të kishim miratuar një kalendar për shqyrtimin e kësaj pakete. Me sa shoh nuk keni ndërmend te respektoni rregulloren dhe kushtetutën”, është shprehur Gazment Bardhi.
Nga ana tjetër, Tabaku tha se Parlamenti nuk lejon diskutimet dhe as debatet.
Jorida Tabaku: Parlamenti, jo vetëm që nuk e përfshin minimumin jetik si një masë shumë të rëndësishme në mbështetje të qytetarëve, por as debat nuk lejon. Ky Parlament duhet t’i diskutojë këto çështje. Nuk mund t’i shmangeni dështimit duke mos lejuar debatin. Minimumi jetik është çështje thelbësore. Parlamenti duhet t’i diskutojë këto çështje, përndryshe do duhet të mbyllet fare.










