Nga Mentor Kikia
Një copë letër për socialistët!
(Nëse ka mbetur dikush që të lexojë)
30 vjet më parë, Sali Berisha refuzoi të dëgjonte thirrjet e popullit për t’u larguar. Ai bëri betimin si President në një parlament të rrethuar nga populli i zemëruar, që e sulmonte. (Ishit ju që i drejtonit!)
Ai zgjodhi dhunën, e cila e çoi vendin atje ku të gjithë e dimë tashmë.
30 vjet më pas, Edi Rama nuk dëgjon popullin që ka pesë muaj në rrugë.
Sot, shteti zgjodhi të derdhë mbi një turmë njerëzish, shumica adoleshentë, një arsenal të tërë dhune: gaz pa fund, plumba gome dhe makineritë më speciale të ndërhyrjes policore, të nxjerra nga repartet.
Në shumë qytete ka shpërthyer dhuna.
Tirana sonte është në flakë.
Në burgje nuk ka më vende.
Në spitale, po ashtu, policë e qytetarë.
Po nesër, çfarë do të bëhet?
Pushteti dhe karrigia e askujt nuk vlen sa vendi dhe populli!
Pa dyshim, një shtet mund ta dhunojë dhe ta nënshtrojë një pjesë të popullit me mjetet e dhunës që disponon.
Por protestat nuk përbëhen vetëm nga ata që janë në rrugë. Janë shumë më të shumtë ata që nuk dalin në shesh.
Ju mund ta shtypni protestën. Mund ta ruani pushtetin edhe me armë. Por a do të mund të qeverisni një popull që tashmë ju urren?
Provoni të shkoni në market për të bërë pazaret si qytetarë të thjeshtë?
Provoni të uleni në një kafene për të pirë një kafe?
Apo do të jetoni vetëm në Green Coast?
Mos harroni: “Rinia, si me të drejtë, si pa të drejtë, ka gjithmonë të drejtë.”
(Tashmë pa respekt, nga një votues i juaji, që mendon se duhet të kërkojë llogari!)











