Mazhoranca dhe opozita rinisën punën për Reformën Zgjedhore, pas disa javë ngërçi për shkak të tensioneve politike me të cilat u shoqërua zgjedhja e Avokatit të ri të Popullit.
Në këtë mbledhje të parë për këtë vit, në emër të PS Damian Gjiknuri shprehu gatishmërinë për konsensus për të gjetur gjuhën e kompromisit për rregullat e përbashkëta për betejën elektorale
“Përtej tensioneve politike, kjo është një gjë e nevojshme se në fund të fundit pushtetet apo pretendentët për pushtet do të përballen në zgjedhje dhe detyra jonë është të vëmë rregulla sa më të mira me qëllim që të mundësojmë garën e ndershme. Kushdo që aspiron të vijë në pushtet ka vetëm një rrugë nëpërmjet zgjedhjeve”, tha Gjiknuri.
Palët kanë rënë dakord që ligji i parë që do të kalojnë është ai për financimin e partive politike, një ligj që është detyrim nga BE në procesin e negociatave për anëtarësim.
“Partitë politike për mua në Shqipëri janë gjëja më e rëndësishme, pavarësisht se janë neglizhuar, janë bërë si grupime njerëzish që drejtohen nga një kryetar edhe mendohet sikur s’ka rëndësi organi parti politike. Partitë politike janë institucionet më të rëndësishme, sepse ato nesër do të përcaktojnë politikat që do të drejtojnë vendin nga kushdo forcë, e cila do të votohet nga qytetarët. Prandaj e kemi vënë dhe çështjen e parë sepse ka një ekspertizë të mirë, ka një traditë. Kemi mundësi të bëjmë diçka të mirë edhe jashtë atij tensionit të vazhdueshëm politik që zakonisht është për çështje që lidhen direkt me zgjedhjet”, tha Gjiknuri.
“Duket sikur është një çështje që nuk ka debat, por ajo mund të kthehet nesër nëse zgjidhjet janë të pastudiuara mirë, mund të kthehet në një debat të madh, që pasojën e ka tek pluralizmi politik, tek funksionimi i partive politike, eventualisht mund të çojë në atrofizimin e partive politike. Përtej çdo lloj demonizimi që u bëhet partive politike, janë institucione që kanë rol të drejtpërdrejtë kushtetues, e dimë ne shumë mirë të gjithë. Një nga detyrat është t’i japim një bazë të shëndoshë mënyrës së funksionimit të tyre”, tha Oerd Bylykbashi, bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Zgjedhore, PD.
Por nëse ligji për financimin e partive politike është relativisht një ushtrim i lehtë, për opozitën çështja kyçe e Reformës Zgjedhore mbetet kërkesa për ndryshimin e sistemit zgjedhor.
“Sistemi zgjedhor është një nga problemet kryesore që ne sot kemi, deformimet e tij prodhojnë deformime jo vetëm të procesit zgjedhor, por edhe politik. Pushtimi i zgjedhjeve nga shteti është tematikë absolutisht e madhe dhe dominante, kryesore jo vetëm si rekomandime, por fakte që të gjithë ne i dimë”, tha Bylykbashi.
Partitë politike caktuan në këtë mbledhje ekspertët që do të shkruajnë ligjin për financimin e partive politike e mbetet për tu parë nëse do të arrijnë apo jo konsensus për këtë çështje të parë të reformës zgjedhore.











