Biznesmeni Behgjet Pacolli, në një postim në rrjetet sociale, ka lënë të nënkuptohet se ka fituar gjyqin për aeroportin e Vlorës ndaj ish-ortakut të tij, Valon Ademi, që e kishte paditur në Gjykatën e Tiranës.
Pasi Prokuroria e Tiranës pezulloi aksionet e aeroportit, Paccoli thotë se prej ditës së sotme aeroporti i Vlorës i është rikthyer normalitetit institucional dhe rendit ligjor.
Pacolli thekson se operimi në aeroport do të vijojë tashmë normalisht, duke lënë të kuptohet se drejtësia është shprehur dhe se ai ka fituar nga përplasja me ish-ortakun Ademi.
“Po kthehet normaliteti me aeroportin e Vlorës!
Akti më i lartë i përgjegjësisë qytetare dhe patriotike është kontributi ndaj familjes, shoqërisë dhe shtetit përmes punës së ndershme, profesionale dhe respektimit të parimeve të drejtësisë. Drejtësia, ndonëse shpesh përballet me sfida dhe procese të vështira, ajo mbetet universale dhe e pashmangshme në zbatimin e saj.
Është një ndjenjë krenarie për një qytetar kur drejtësia në vendin e tij funksionon në mënyrë të pavarur, të pandikuar dhe të qëndrueshme.
Nga sot, në Vlora International Airport, rikthehen normaliteti institucional, rendi ligjor dhe besimi duke i falenderuar drejtësisë!” shkruan Pacolli.
Behgjet Pacolli, pronar i “Mabco Construction S.A.” nisi një përplasje në gjykata, por edhe në media, me ortakun e tij Valon Ademi pronar i 2A Grop dhe shkak ishte ndarja e aksioneve për aeroportin e Vlorës.
Valon Ademi përfaqësues i kompanisë 2A Group, fillimisht ka pasur 2% të aksioneve në Aeroportin e Vlorës. Ndërkohë pas tërheqjes së turqëve, Yda, të cilët i shitën aksionet e tyre për 4200 euro, Ademi ka pretenduar se mes tij dhe Pacollit u firmos një kontratë ku atij i kaluan 47% të aksioneve.
2A Group e Ademit kërkoi të njihet si 47% aksioner duke pasur në dorë kontratën, por edhe gjithë dokumentet e investimit gjatë këtyre dy viteve, ndërsa Mabco e Pacollit refuzoi dhe mori vendim si aksioner kryesor që të mos lejohej ndryshimi i aksioneve.









