Nga 1 Janari efektivët e Policisë së Shtetit do të kenë të përfshirë edhe ushqimin gjatë orarit të punës.
Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të ri që përcakton kriteret dhe procedurat e trajtimit me ushqim për punonjësit e Policisë së Shtetit, studentët dhe kursantët e strukturave arsimore, si dhe për disa kategori personash që mbahen përkohësisht në ambiente policore.
Vendimi bazohet në ligjin e ri “Për Policinë e Shtetit” dhe hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”, ndërsa efektet financiare zbatohen nga 1 janari 2026.
Sipas rregullave të reja, punonjësit e policisë përfitojnë trajtim me një vakt drekë kur orari i punës është 8 orë, dhe me tre vakte kur angazhohen në gatishmëri, situata emergjente, zgjedhje apo shërbime me kohë të zgjatur.
Po ashtu, me tre vakte ushqim trajtohen edhe punonjësit e Qendrës së Edukimit Fizik dhe Sporteve Elitare.
Studentët dhe kursantët që ndjekin trajnim të detyrueshëm në Akademinë e Sigurisë marrin një vakt drekë për trajnime njëditore, ndërsa për programet shumëditore përfitojnë tre vakte sipas ditëve të qëndrimit.
Tre vakte ushqim pa pagesë u garantohen gjithashtu shtetasve të huaj që hyjnë ilegalisht, shtetasve shqiptarë të kthyer nga jashtë dhe personave të ndaluar ose arrestuar deri në sqarimin e pozitës së tyre.
Në rastet kur ushqimi nuk mund të sigurohet përmes mensave ose shërbimit catering, parashikohet kompensim financiar: 500 lekë për një vakt drekë dhe 900 lekë për tre vakte.
Këto shuma do të indeksohen çdo vit sipas inflacionit të INSTAT-it. Financimi mbulohet nga buxheti i Ministrisë së Brendshme.










