Benjamin Netanyahu është gati të pranojë propozimin e ndryshuar të paraqitur nga Steve Witkoff për armëpushimin në Gaza, sipas Reuters , ndërsa ai informoi familjet e pengjeve që ende mbahen në enklavë më herët sot.
Më parë, udhëheqësi i opozitës izraelite, Yair Lapid, i bëri thirrje kryeministrit izraelit që ta pranonte menjëherë propozimin e ri amerikan.
“Izraeli duhet ta pranojë publikisht dhe pa vonesë kornizën e paraqitur këtë mëngjes nga ndërmjetësi amerikan Steve Ëitkoff”, shkroi Lapid në një postim në platformën X.
Hamasi nga ana tjetër, është “i zhgënjyer” me kushtet e paraqitura, thotë Axios.
Hamasi duket “i zhgënjyer” nga propozimi i të dërguarit të posaçëm të SHBA-së, pasi ai nuk përfshin një garanci të qartë nga Uashingtoni se armëpushimi i përkohshëm që ai përshkruan do të çojë në një armëpushim të përhershëm.
Propozimi i Witkoff parashikon që të dyja palët do të vazhdojnë me negociatat mbi kushtet e një armëpushimi të përhershëm gjatë armëpushimit të përkohshëm 60-ditor.
Megjithatë, propozimi nuk përcakton që, nëse bisedimet zgjasin përtej 60 ditëve, armëpushimi i përkohshëm do të zgjatet në përputhje me rrethanat, sipas burimit.
Hamasi po kërkon një propozim që do të siguronte këtë zgjatje, duke pasur parasysh se në marrëveshjen e mëparshme të nënshkruar në janar, Izraeli refuzoi të negocionte kushtet e një armëpushimi të përhershëm dhe rifilloi armiqësitë në Gaza pasi skadoi armëpushimi i përkohshëm. I njëjti burim vëren se zyrtarët e Hamasit ende nuk e kanë refuzuar zyrtarisht propozimin, pasi vetëm kohët e fundit konfirmuan publikisht se e kishin marrë atë.