Europa Qendrore dhe Lindore nuk është më oborri periferik i Europës. Ajo është një epiqendër në zhvillim për përparimet teknologjike dhe një nyje jetike në një zinxhir global furnizimi me ndryshim të shpejtë.
Rajoni ka përjetuar një rilindje ekonomike dhe teknologjike që shkon përtej klisheve të linjave të lira të montimit dhe pikave call center të kontraktuara nga jashtë: Europa Qendrore dhe Lindore nuk është më thjesht fuqia e lirë punëtore e botës për montimin e makinave dhe qepjen e këmishëve.
Nga qendrat e teknologjisë në Talin, deri te laboratorët më të përparuar të sigurisë kibernetike në Varshavë, rajoni po kthehet në një qendër të risisë dixhitale.
Por a e kanë marrë mesazhin investitorët? Shefat e kompanive të cilët ende e shohin EQL-në dhe Baltikun thjesht si vende për kursimin e kostove, nuk e kanë kuptuar rëndësinë e këtyre rajoneve. Zhvillimi i Europës Qendrore dhe Lindore po nxit një rishikim të thellë të strategjive të investimeve dhe ata që nuk arrijnë të lëvizin, rrezikojnë të mbeten pas.
Për dekada, kompanitë shumëkombëshe hapën kompanitë në vendet e EQL-së, me një qëllim kryesor: të ulnin kostot e prodhimit.
Kjo formulë e vjetër (puna e lirë plus afërsia me tregjet kryesore të Europës Perëndimore), nxiti një lulëzim prodhimi nga vitet 1990 deri në fillim të viteve 2010. Megjithatë, rajoni ka evoluar. Midis viteve 2015 dhe 2022, pagat mesatare në Baltik dhe Grupin Vishegrad (Poloni, Hungari, Republikën Çeke dhe Sllovaki), u rritën me mbi 30%.
Në të njëjtën kohë, infrastruktura dixhitale dhe fuqia e aftë punëtore kanë tërhequr vëmendjen e investitorëve.
Për shembull, në Estoni, programi i qeverisë “e-Residency” e ka kthyer vendin në një pikë të dashur për sipërmarrësit globalë të teknologjisë. Të gjitha shërbimet publike janë të disponueshme në internet dhe vendi arrin vazhdimisht rezultate të mira në Treguesin e Ekonomisë dhe Shoqërisë Dixhitale të BE-së (DESI).
Qytetet polake si Kraków dhe Wrocław, dikur të njohura vetëm për sheshet e tyre mesjetare dhe fluturimet e lira të fundjavës, tani janë të mbushura me pika operimi të drejtuara nga firma globale, duke përfshirë Google, ABB dhe Motorola.
Zhvendosja drejt një ekonomie të udhëhequr nga shërbimi dhe risia
Drejtorët ekzekutivë duhet të kenë parasysh se ndërsa prodhimi mbetet një themel i shumë ekonomive të EQL-së, po ndodh një orientim drejt shërbimeve dhe risisë.
Shërbimet e teknologjisë së informacionit vazhdojnë të fitojnë vrull, të ndihmuar nga përmirësimi i lidhjes dixhitale të rajonit. Për shembull, sektori rumun i teknologjisë së informacionit, tani përbën rreth 7% të PBB-së, nga vetëm 1.3% një dekadë më parë.
Lituania, dikur e lënë në hije nga fqinjët e saj baltikë, është bërë një pikë e njohur e teknologjisë financiare, duke tërhequr Investime të Huaja Direkte.
Këto ndryshime po ndikojnë në kërkesën dhe ofertën në rajon. Regjistrimi në universitete në fushat STEM është rritur në të gjithë Europën Qendrore dhe Lindore, ndërkohë që kanë hapur selitë shumë kompani teknologjike në Budapest dhe Bukuresht.
Sipas Eurostat, pjesa e specialistëve të TIK-ut në punësimin total në EQL, u rrit nga 3.2% në vitin 2015, në gati 5% deri në vitin 2023. Inxhinierët e aftë, shkencëtarët e të dhënave dhe zhvilluesit e softuerit, po nxisin rritjen e Europës Qendrore.
Një epokë e re e bizneseve startup me rritje të shpejtë
Risia në rajonin e EQL-së nuk ka të bëjë vetëm me zhvendosjen e firmave të mëdha perëndimore në këtë zonë. Janë krijuar edhe shumë biznese të reja, shumë prej të cilave kanë fituar vlerësim ndërkombëtar.
Estonia, tashmë e njohur për lindjen e kompanive si Skype dhe Wise, regjistroi një rritje prej 140% në financimin e kapitalit sipërmarrës midis viteve 2018 dhe 2022, e nxitur nga firmat lokale “unicorn” të fushave të ndryshme.
Polonia, me një popullsi prej afro 38 milionë banorësh, ofron një treg të gjerë për firmat vendase startup, të cilat më pas zgjerohen jashtë vendit.
Kjo ka ndihmuar në suksesin e kompanive të ndryshme teknologjike si Allegro (një gjigant i tregtisë elektronike) dhe DocPlanner (një platformë shëndetësore dixhitale).
Shkalla për frymë e bizneseve të suksesshme startup në rajonin Baltik, rivalizon atë të rajonit nordik, që njihet në Europë për risi. Letonia po bën përparime në teknologjinë e thellë, me qendra të specializuara për teknologjinë e dronëve dhe Inteligjencën Artificiale.
Sistemi i identitetit dixhital i Polonisë, i quajtur “mObywatel”, ka lidhur miliona qytetarë me shërbimet publike elektronike, ndërsa Ministria e Dixhitalizimit e Rumanisë ka bërë një sërë nismash për të rritur lidhjen online në zonat rurale.
E gjithë kjo përpjekje po shpërblehet. Sipas raportit të fundit të Bankës Europiane të Investimeve për Dixhitalizimin në Europë, vendet e EQL-së po ngushtojnë hendekun me Europën Perëndimore, dhe vendet baltike po arrijnë rregullisht shifra suksesi mbi mesataren e BE-së për lidhjen me internetin, kapitalin njerëzor dhe përdorimin e shërbimeve publike dixhitale.
Dixhitalizimi më i shpejtë ul pengesat për hyrjen e bizneseve të reja, nxit rritjen e ekosistemeve teknologjike lokale dhe mundëson terren pjellor për kërkime bashkëpunuese midis universiteteve dhe sektorit privat.
Për investitorët, ai sjell më shumë mundësi në çdo gjë, nga prodhimi, deri te platformat e telemjekësisë dhe teknologjisë. /MONITOR