Goditje e madhe për Napolin. Klubi ka konfirmuar zyrtarisht se Kevin De Bruyne do të mungojë për disa muaj pas një dëmtimi serioz në kofshë, të pësuar gjatë ndeshjes ndaj Interit në Serie A.
Sipas njoftimit zyrtar të klubit:
“Pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen ndaj Interit, Kevin De Bruyne iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore në spitalin Pineta Grande, të cilat zbuluan një dëmtim të shkallës së lartë në muskulin biceps femoris të kofshës së djathtë. Lojtari ka nisur tashmë programin e rehabilitimit.”
Diagnoza tregon për një çarje të rëndë muskulare, që do ta mbajë mesfushorin belg jashtë fushave për një periudhë të gjatë. Klubi nuk ka dhënë një afat të saktë rikuperimi, por besohet se mungesa do të zgjasë disa muaj.
Kjo është një goditje e rëndë për trajnerin e Napolit, i cili do të duhet të përballet me mungesën e një prej lojtarëve më kreativë të skuadrës, teksa “azzurrët” synojnë të qëndrojnë në garë si në kampionat, ashtu edhe në Evropë.











