Një ngjarje e rëndë u regjistrua mbrëmjen e së martës në ishullin grek të Xiosit, ku një përplasje mes një motoskafi të Rojës Bregdetare Greke dhe një motoskafi të trafikantëve nga Turqia përfundoi me 15 viktima dhe 26 të plagosur, mes tyre edhe dy efektivë të policisë greke.
Sipas autoriteteve greke, motoskafi i trafikantëve, në të cilin ndodheshin të paktën 35 emigrantë klandestinë, ishte në proces shkarkimi pranë bregut grek kur u pikas nga Roja Bregdetare. Trafikantëve iu dhanë sinjale për të ndaluar, por ata, sipas versionit zyrtar, nuk iu bindën urdhrave.
Rreth 200–300 metra larg bregut, dy motoskafët — secili i pajisur me nga dy motorë me fuqi 300 kuaj fuqi — u përplasën me njëri-tjetrin. Si pasojë e përplasjes, 14 emigrantë humbën jetën në vend. Një grua tjetër, e transportuar me urgjencë në spital në gjendje të rëndë, ndërroi jetë më vonë, duke e çuar numrin total të viktimave në 15.
Ndërkohë, 26 persona të tjerë u plagosën dhe u dërguan për trajtim mjekësor, disa prej tyre në gjendje kritike. Mes të plagosurve ndodhen edhe dy oficerë të policisë greke.
Dëshmitarë okularë kanë deklaruar se motoskafi i Rojës Bregdetare iu afrua me shpejtësi të madhe mjetit të trafikantëve, çka dyshohet se shkaktoi plagosje të rënda. Dëshmi të tjera flasin për dëgjimin e të shtënave me armë automatike, megjithatë mbetet e paqartë nëse trafikantët ishin të armatosur dhe nëse ka pasur shkëmbim zjarri me forcat greke.
Prokuroria ka mbërritur në vendngjarje dhe ka urdhëruar sekuestrimin e mjeteve të përfshira për qëllime hetimore. Nga ana e saj, Roja Bregdetare Greke ka publikuar vetëm pamje të anijes së vet, pa dhënë detaje mbi motoskafin e trafikantëve.
Ngjarja ndodh në një klimë të tensionuar, ku Greqia është përballur edhe më herët me akuza ndërkombëtare për përdorimin e metodave të ashpra në menaxhimin e fluksit të emigrantëve që tentojnë të hyjnë në territorin e saj.







