Kushtet e pafavorshme atmosferike kanë krijuar vështirësi në lëvizjen e trageteve në portet e Durrësit dhe Vlorës. Autoriteti Portual Durrës bën me dije se, për shkak të motit të keq gjatë mbrëmjes së datës 4 janar 2026, një nga dy tragetet e planifikuara për t’u nisur nga Bari drejt Durrësit është anuluar, pasi nuk ka arritur të niset.
Udhëtarët e prekur nga kjo situatë janë asistuar nga kompanitë lundruese, të cilat kanë marrë masa për ridrejtimin e tyre me nisjet pasuese.
Sipas Autoritetit Portual Durrës, situata e lëvizjes së trageteve për ditën e sotme paraqitet si më poshtë:
Trageti “Rigel VII” mbërrin në Portin e Durrësit në orën 11:00 dhe niset në orën 13:00.
Trageti “Rigel V” pritet të mbërrijë rreth orës 15:00 dhe të niset rreth orës 23:00.
Trageti “Rigel III” parashikohet të mbërrijë rreth orës 21:00 dhe të niset pas mesnatës.
“GNV Cristal” është planifikuar të niset në orën 23:00.
Ndërkohë, probleme janë shënuar edhe në Portin e Vlorës. Për shkak të kushteve të rënda hidrometeorologjike, trageti i linjës Vlorë–Brindisi ka dalë në radë dhe po qëndron në det të hapur për të shmangur përplasjet me portin, të cilat mund të shkaktonin dëme materiale. Sipas informacioneve, trageti do të tentojë të futet në kalatat e portit rreth orës 11:00 të mesditës; nëse nuk do t’ia dalë, do të qëndrojë sërish në det të hapur.
Po ashtu, era e fortë bregdetare, me shpejtësi deri në 15 metra për sekondë, ka sjellë një sasi të konsiderueshme rëre deti në zonën e Lungomares në Vlorë. Rëra ka përfunduar edhe në segmentin rrugor, duke bllokuar kunetat anësore të rrugës. Për këtë arsye, ekipet e bashkisë kanë ndërhyrë për pastrimin e tyre, me qëllim shmangien e problematikave të mundshme si përmbytjet, pasi këto kanale shërbejnë për kullimin e ujërave të shiut.
Autoritetet portuale dhe institucionet vendore vijojnë të monitorojnë situatën, në bashkëpunim me kompanitë lundruese, për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e operacioneve.










