Në rrugën nacionale Burrel- Skuraj dhe Burrel-Rrëshen ka pasur probleme edhe gjatë ditës së sotme si pasojë e motit të keq.
Në segmentin e Shkopetit ka pasur rënie të gurëve pothuajse në të gjithë gjatësinë e tij. Lëvizja në këtë aks herë pas here ka vijuar vetëm me një sens lëvizje. Për fat të mirë, nga rënia e gurëve në rrugë nuk pati aksidente.
Gjatë ditës së sotme ka pasur probleme edhe në aksin tjetër nacional Ura e Matit – Rrëshen, ku ka pasur rënie të vazhdueshme të dherave.
Më problematik ishte segmenti në vendin e quajtur “Pujkë” ku në disa pjesë rruga është kthyer me një sens lëvizje. Edhe pranë urës së Urakës vazhdojnë të ketë shembje të dherave.
Ajo që bie në sy gjatë këtyre dy ditëve në këtë aks rrugor nuk ka pasur asnjë mjet për të larguar dherat nga rruga në mënyrë që ajo të jetë lehtësisht e kalueshme. Bllokimi i kanaleve kulluese e ka rënduar më tej situatën në këtë aks rrugor.
Ndërkohë, “Ura e Lufit” në Zenisht është gati në shembje pasi uji po gërryen bazamentin.










