Milan ka shpërdoruar një mundësi të artë në garën për titull, pasi u mposht 1-0 nga Lazio në “Olimpico”, në një ndeshje që mund të ketë peshë të madhe në vijimin e sezonit. Pas suksesit në derbi, kuqezinjtë nuk arritën të përfitonin nga hapi fals i rivalëve dhe tani e shohin veten tetë pikë larg Interit, kur kanë mbetur edhe nëntë javë deri në fund të kampionatit.
Njeriu i ndeshjes ishte Gustav Isaksen, i cili realizoi golin vendimtar në minutën e 26-të. Aksioni nisi nga një top i gjatë i Marusic, ndërsa Estupinan gaboi në vlerësimin e trajektores dhe i hapi rrugë sulmuesit danez. Isaksen kontrolloi mirë situatën dhe dërgoi topin në rrjetë me të majtën, duke mposhtur Mike Maignan.
Lazio u shfaq më e organizuar dhe më e qartë në lojën e saj, sidomos në pjesën e parë, ku krijoi disa situata të rrezikshme dhe tregoi më shumë energji se skuadra e Massimiliano Allegrit. Për vendasit pati raste edhe Taylor, që goditi traversën, ndërsa Milan vuajti shumë në ndërtimin e lojës dhe në repartin ofensiv.
Në pjesën e dytë, Allegri provoi të ndryshonte ritmin e ndeshjes me rreshtimin 4-3-3 dhe me ndërhyrje nga stoli, por reagimi i kuqezinjve nuk mjaftoi. Milan pati disa tentativa për të rikthyer baraspeshën, por pa konkretizim. Një gol i Athekame u anulua për prekje me dorë, ndërsa raste të tjera nga Pavlovic, Modric dhe Jashari nuk sollën rezultatin e dëshiruar.
Një tjetër moment i diskutueshëm ishte zëvendësimi i Rafael Leaos, i cili nuk e priti mirë vendimin e trajnerit, duke shfaqur hapur pakënaqësinë e tij. Portugezi, ashtu si disa nga emrat kryesorë të Milanit, nuk arriti të linte gjurmë në një sfidë ku pritej më shumë nga lojtarët vendimtarë të skuadrës.
Te Lazio, përveç Isaksen, u dalluan edhe Taylor, Zaccagni dhe Nuno Tavares, ndërsa skuadra e Maurizio Sarrit dha sinjale force, karakteri dhe organizimi, pavarësisht një sezoni me ulje-ngritje. Mbështetja e madhe nga tifozët në “Olimpico” i dha edhe më shumë shtysë ekipit vendas, që mbrojti me disiplinë avantazhin deri në fund.
Për Milanin, kjo humbje është një goditje e rëndë në momentin më delikat të sezonit. Skuadra mbetet në garë, por diferenca prej tetë pikësh me Interin e bën shumë më të vështirë betejën për “Scudetto”. Për Allegrin shtohen pikëpyetjet, sidomos për mungesën e vazhdimësisë, rendimentin e disa lojtarëve kyç dhe vështirësinë për të gjetur zgjidhje efikase në sulm.











