Mikel Arteta ka vlerësuar nivelin e lartë të Premier League, duke e krahasuar atë me La Liga dhe duke theksuar se intensiteti i futbollit anglez i detyron edhe skuadrat më të forta europiane të ndryshojnë mënyrën e tyre të lojës.
Trajneri i Arsenal foli në konferencën për shtyp para ndeshjes së fundjavës ndaj Everton, në një moment kur skuadra e tij kryeson kampionatin dhe synon të mbajë distancën nga Manchester City. Gjatë deklaratave të tij, spanjolli u ndal edhe te përballja mes Newcastle dhe Barcelonës në Champions League, duke e përdorur atë si shembull për të treguar forcën dhe ritmin e Premier League.
Sipas Artetës, Barcelona është një nga skuadrat më të bukura për t’u parë në Europë për mënyrën si luan, por ndaj Newcastle u pa një version krejt ndryshe i ekipit katalanas. Ai theksoi se skuadra angleze meritoi vlerësime të mëdha për intensitetin, presionin lart dhe mënyrën si e detyroi Barcelonën të largohej nga loja e saj e zakonshme.
“Për mua, Barcelona është skuadra më emocionuese në Europë në shumë momente, për shkak të mënyrës si luan, dhe u përball me një nga ekipet e Premier League, Newcastle, që është i jashtëzakonshëm në intensitetin dhe presionin e lartë. Pamë një ndeshje krejt ndryshe nga ajo që shohim zakonisht nga Barcelona, dhe ky është një meritë e madhe për Newcastle”, u shpreh Arteta.
Më tej, trajneri i Arsenal nënvizoi se Barcelona nuk arriti të luante me të njëjtin stil dominues që shfaq zakonisht në Spanjë. “A i patë 1.000 pasimet që Barcelona bën çdo javë në Spanjë? Jo. Ishte një lloj krejt tjetër ndeshjeje. Mund të ishte ende një ndeshje e bukur, por Newcastle e luajti në atë mënyrë dhe meriton shumë kredi për këtë”, shtoi ai.
Deklaratat e Artetës vijnë në një kohë kur në Angli ka debat edhe për stilin e lojës së Arsenal, sidomos pas kritikave për vonesa të qëllimshme në fitoret e fundit. Megjithatë, David Moyes doli në mbrojtje të skuadrës londineze, duke thënë se nuk sheh asnjë problem në mënyrën si luan Arsenal.
Në të njëjtin debat u përfshi edhe Paco Jémez, i cili tha se Premier League dhe La Liga janë dy kampionatet më të forta në botë. Sipas tij, futbolli anglez ka fuqi të madhe financiare dhe fizike, por Spanja vazhdon të ketë një cilësi teknike që shumë skuadra në Angli do ta dëshironin.











