Lionel Messi po përgatitet për një nga netët më emocionale të karrierës së tij. Më 6 tetor, në “Monumental” të Buenos Airesit, kapiteni legjendar do të luajë ndeshjen e fundit me Argjentinën, ndaj Beninit.
Për këtë mbrëmje të veçantë është përgatitur edhe një fanellë speciale. Dizajni ruan vijat tradicionale bardhekaltër, por detajet janë në ngjyrë ari: jaka, mëngët, stema e AFA-s, emri “Messi” dhe numri 10.
Në pjesën e pasme, nga qendra e numrit 10 shpërndahen rreze që formojnë efektin e një dielli, një simbolikë që lidhet me “Diellin e Majit” në stemën argjentinase. Vetë Messi e prezantoi fanellën me mesazhin: “Ndeshja e fundit… një fanellë për një jetë.”
Messi kishte njoftuar më 31 gusht fundin e aventurës me kombëtaren, duke deklaruar se nuk kishte më asgjë për të dhënë. Ai e kishte nisur rrugëtimin me Argjentinën më 17 gusht 2005, ndërsa dy dekada më vonë e mbyll me 125 gola dhe 68 asistime në 207 ndeshje.
Një kapitull historik po shkon drejt fundit, me “Monumental”-in që pritet të kthehet në skenën e lamtumirës së një prej figurave më të mëdha të futbollit argjentinas.











