Zbardhet dëshmia e Sokrat Vatës në gjykatë për vrasjen e turistit portugez në Ksamil.
I akuzuari ka mohuar se e ka goditur me dashje 20-vjeçarin Luis Miguel Varela Mendes, por se veproi në kushtet e vetëmbrojtjes.
Para trupit gjykues, Vata ka deklaruar se konflikti nisi pas një debati me një grup turistësh francezë, të cilët, sipas tij, po shkaktonin zhurmë dhe më pas nisën të shanin. Ai ka shtuar se situata përshkallëzoi në përleshje fizike dhe se njëri prej turistëve kishte një thikë.
Sipas dëshmisë së tij, ai ia ka marrë thikën turistit, ndërsa pak më vonë është goditur me shkelm në nofull dhe ka përfunduar në tokë. Vata ka thënë se, teksa po tentonin ta godisnin sërish, ka lëvizur dorën në mënyrë instinktive për t’u mbrojtur, por nuk kujton momentin kur ka goditur 20-vjeçarin.
“Nuk e kujtoj si e kam goditur. Isha në ‘shock’. Nuk e dija nëse ndonjëri prej tyre ishte plagosur, pasi ishin shumë. Nga ‘shock’-u jam larguar”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, para gjykatës ka folur edhe shtetasi turk Nuh Mahmutoglu, i cili ka deklaruar se Vata e kishte telefonuar rreth orës 06:30 dhe i kishte kërkuar ta shoqëronte drejt Tiranës, duke i thënë se ishte rrëzuar nga motori.
Edhe personat e tjerë të ndaluar kanë mohuar përfshirjen në përleshje, duke deklaruar se nuk e kanë parë momentin e konfliktit.
Në përfundim të seancës, Gjykata e Sarandës caktoi masën “arrest në burg” për Sokrat Vatën, ndërsa të njëjtën masë morën edhe shtetasit turq Ezgi Parlak dhe Nuh Mahmutoglu, të dyshuar se tentuan ta largonin Vatën me automjet.
Për Ildi Cekanin dhe Ardit Kasemin u vendos “arrest në burg” për 45 ditë, ndërsa për Luciano Seferin, Moisi Matushajn, Romeo Shehun, Murat Zhabina dhe Kristo Kosho u caktua masa “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.










