Një tjetër tentativë vrasjeje që fatmirësisht parandalohet në kohë. Këtë herë në Kurbin!
Siç njoftojnë blutë, krahas pamjeve, një 37-vjeçar ishte përgatitur të hakmerrej për vrasjen e të vëllait, ngjarje kjo e ndodhur më 9 korrik të këtij viti. I arrestuari, me precedentë kriminalë, u ndalua në Fushë-Milot, teksa drejtonte një automjet tip “Mercedes-Benz ML”, të blinduar dhe me targa gjermane.
Gjatë kontrollit, policia i gjeti një armë zjarri automatike tip “Skorpion”, me një krehër me 16 fishekë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe arma, municioni dhe automjeti.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Seksionin Operacional të Hetimit dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin.
Ndërkohë, vijojnë hetimet për kapjen e autorit të vrasjes së 40-vjeçarit dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.











