Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka nxjerrë në pah mangësi të mëdha në menaxhimin e pyjeve në Kosovë, duke evidentuar prerjet ilegale dhe uzurpimet, veçanërisht në zonat e mbrojtura.
Sipas raportit të ZKA-së, dëmi financiar për periudhën 2020-2023 arrin në 5.3 milion euro. Institucionet përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Bujqësisë dhe Agjencinë Pyjore, nuk kanë arritur të sigurojnë mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të resurseve pyjore.
Në raportin e saj, ZKA-ja thekson se aktivitetet e paligjshme, si prerjet ilegale, kanë kontribuar ndjeshëm në dëmtimin e pyjeve.
Rreth 10,000 hektarë pyje janë shkatërruar nga zjarret, për të cilat faktori kryesor është njeriu, qoftë për shkak të pakujdesisë, paditurisë apo edhe piromanisë. Problemet e tjera përfshijnë shfrytëzimin ilegal dhe mosrikultivimin e hapësirave nga qiramarrësit.
Agjencia Pyjore, sipas ZKA-së, ka mungesë informacioni për pronat që menaxhon, me 246 raste uzurpimi të identifikuara dhe mbi 2,200 kërkesa për qiradhënie që tregojnë një përdorim të gjerë të paautorizuar.
Rreth 11,600 hektarë kanë pësuar ndryshime kadastrale pa dijeninë e Agjencisë, duke shfaqur një mungesë të koordinimit ndërinstitucional.
Raporti tregon gjithashtu se në parqet kombëtare “Sharri” dhe “Bjeshkët e Nemuna” janë evidentuar prerje ilegale dhe ndërtimi pa leje.
Sipas të dhënave, në parkun “Sharri”, rreth 70% e territorit nuk ka mbikëqyrje nga roja pyjore, çka ka sjellë një shkallë të lartë të prerjeve ilegale. Ndërsa në “Bjeshkët e Nemuna”, ndërtimet pa leje janë dyfishuar nga viti 2010 deri në vitin 2024.
ZKA-ja ka rekomanduar që institucionet përgjegjëse të forcojnë kontrollet dhe të unifikojnë të dhënat kadastrale për të garantuar një mbikëqyrje efektive. Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Pyjëve janë zotuar për zbatimin e rekomandimeve, por Agjencia Kadastrale nuk ka dhënë asnjë përgjigje në lidhje me gjetjet e auditimit.
Këto mangësi kërkojnë një angazhim të fortë për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe mbrojtjen e resurseve natyrore.