Tre shtetas turq janë arrestuar nga Komisariati nr. 2 në Tiranë, pas denoncimit të një 31-vjeçareje suedeze, e cila pretendon se është përdhunuar në një apartament me qira pranë zonës së Zogut të Zi.
Në pranga ka rënë 29-vjeçari Ferhatcan Cicek, nga Stambolli, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”. Sipas burimeve pranë policisë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit të 12 shkurtit.
E reja nga Suedia, me inicialet V.E., është dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku sipas burimeve, janë konstatuar shenja dhe dëmtime që përputhen me dhunë seksuale.
Gjatë kontrollit në apartamentin e marrë me qira, shërbimet e policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde narkotike të dyshuar kanabis. Për këtë arsye, ndaj 29-vjeçarit rëndon edhe akuza për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Po ashtu, janë arrestuar edhe dy shtetas të tjerë turq, të moshave 28 dhe 31 vjeç, të cilët dyshohet se kanë qenë të pranishëm në banesë në momentin e ngjarjes.
Sipas hetimeve paraprake, ata dyshohet se kanë poseduar dhe konsumuar një pjesë të lëndës narkotike të gjetur dhe akuzohen për “moskallëzim krimi” si dhe për vepra që lidhen me narkotikët.










