Pas miratimit të buxhetit për vitin 2026 në Kuvend me 81 vota pro dhe 16 kundër, qeveria ka planifikuar një rritje të qëndrueshme në investime dhe shpenzime sociale. Të ardhurat buxhetore janë programuar në rreth 8.5 miliardë euro, ndërsa shpenzimet shkojnë në rreth 8.9 miliardë euro, duke krijuar një deficit prej 2.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), i ngjashëm me parashikimin e vitit të kaluar.
Një nga pikat kryesore të buxhetit është rritja e shpenzimeve sociale. Qeveria ka vendosur të destionojë 100 milionë euro për rritjen e pensioneve dhe 135 milionë euro për rimbursimin e medikamenteve. Për herë të parë do të ketë gjithashtu indeksimin e pagave të administratës publike me 2.5% duke filluar nga 1 janari 2026. Një rritje e pagës minimale në 50 mijë lekë në muaj është gjithashtu e parashikuar.
Investimet publike janë planifikuar në nivelin e 1.9 miliardë eurove, ndërsa fondi për rindërtimin do të jetë 50 milionë euro. Ndërkaq, shpenzimet për 11 kontrata koncesionare janë parashikuar në 120 milionë euro, një rënie e lehtë krahasuar me këtë vit.
Sektori i shëndetësisë do të përfitojë më shumë se 853 milionë euro, duke përfshirë investime për bluzat e bardha dhe përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore. Në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë, Ministria përkatëse do të ketë një buxhet prej 800 milionë eurosh, duke u fokusuar në projekte rrugore dhe hekurudhore. Edukimi merr 680 milionë euro, ndërsa Ministria e Mbrojtjes do të ketë një buxhet prej 610 milionë eurosh, duke përmbushur angazhimet e Shqipërisë si anëtare e NATO-s për investime mbi 2% të PBB-së.
Këto vendime janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të përmirësuar cilësinë e jetës për qytetarët dhe për të nxitur rritjen ekonomike në vend.











