Paris Saint-Germain ka konfirmuar se mbrojtësi Achraf Hakimi është urdhëruar të dalë në gjyq në lidhje me një çështje të dyshuar përdhunimi. Akuza ndaj ndërkombëtarit maroken lidhet me shkurtin e vitit 2023, kur një grua 24-vjeçare pretendoi se ai e sulmoi në banesën e tij në Val-de-Marne, në juglindje të Parisit.
Nëse shpallet fajtor, 27-vjeçari mund të dënohet deri në 15 vite burg.
Hakimi i mohon akuzat dhe reagoi të martën në rrjetet sociale, duke thënë se pret me qetësi gjyqin që, sipas tij, do ta nxjerrë të vërtetën publikisht. Avokatja e tij, Fanny Colin, deklaroi se gjyqi është urdhëruar dhe prokuroria e Nanterre e konfirmoi vendimin.
Sipas avokates mbrojtëse, çështja “mbështetet vetëm te fjala e një gruaje” dhe ajo pretendon se paditësja ka penguar hetimet, duke refuzuar ekzaminime mjekësore, analiza ADN-je dhe kontrollin e telefonit, si edhe duke mos dhënë emrin e një dëshmitari kyç.
Nga ana tjetër, paditësja ka deklaruar se u njoh me Hakimin në janar 2023 në Instagram dhe se shkoi në shtëpinë e tij me një taksi të porositur prej tij. Ajo pretendon se ai e puthi dhe e preku pa pëlqimin e saj, përpara se ta përdhunonte. Sipas saj, arriti ta largojë dhe më pas i shkroi një shoqeje, e cila shkoi ta merrte.
Hakimi ishte vënë nën akuzë paraprake për përdhunim në mars 2023. Në sistemin ligjor francez, kjo do të thotë se gjyqtarët kanë arsye të forta dyshimi, por lejohet kohë shtesë hetimi para vendimit për ta dërguar çështjen në gjyq.
Trajneri i PSG Luis Enrique u pyet nëse rasti ndryshon diçka për ekipin dhe rolin e Hakimit, por u përgjigj shkurt se “kjo është në duart e drejtësisë”. Ndërkohë, avokatja e paditëses, Rachel-Flore Pardo, tha se klientja e saj është lehtësuar që çështja po shkon në gjykatë dhe vlerësoi mënyrën si është trajtuar procedura.
Hakimi, i lindur në Spanjë nga nënë marokene, u formua te Real Madrid CF dhe debutoi me ekipin e parë në 2017. Ai iu bashkua PSG në 2021, pas periudhave te Borussia Dortmund dhe Inter Milan.










