Kylian Mbappé ka folur para mediave në prag të ndeshjes mes Francës dhe Brazilit, duke bërë të qartë se është rikuperuar dhe gati për të luajtur.
Sulmuesi francez u shpreh se ndihet shumë mirë fizikisht, sidomos sa i përket gjunjëve, dhe falënderoi publikisht Real Madridin për mënyrën se si është trajtuar gjatë periudhës së rikuperimit.
“Ndjehem mirë, sidomos me gjunjët e mi, gjë që është shumë e rëndësishme për mua. Kjo është pjesërisht falë klubit tim, që është kujdesur shumë mirë për gjendjen time fizike. Jam shumë i lumtur që jam këtu, i gatshëm dhe plotësisht në formë”, deklaroi Mbappé.
Ylli i Francës mohoi gjithashtu raportimet që qarkulluan së fundmi në mediat franceze, sipas të cilave dëmtimi i tij ishte diagnostikuar në gjurin e gabuar.
“Informacioni se ata ekzaminuan gjurin e gabuar është i rremë”, theksoi ai.
Mbappé pranoi se mungesa e komunikimit mund të ketë ndikuar që të lindnin thashetheme, por nënvizoi se marrëdhënia dhe komunikimi me Real Madridin kanë qenë gjithmonë shumë të qarta.
Ai tha se gjatë mungesës së tij skuadra ka vazhduar të fitojë ndeshje, gjë që e konsideroi shumë pozitive, ndërsa shtoi se Real Madridi nuk varet vetëm nga ai.
Sa i përket ndeshjes ndaj Brazilit, kapiteni i “Les Bleus” vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, duke kujtuar historinë e madhe të brazilianëve në futbollin botëror.
“Ne të gjithë e dimë se çfarë përfaqëson Brazili në historinë e futbollit ndërkombëtar. Është vendi që ka lënë gjurmën më të madhe në këtë sport. Ata kanë pesë yje në fanellë. Është gjithmonë sfidë të përballesh me ta”, u shpreh ai.
Mbappé foli edhe për ëndrrën e tij për ta fituar Kupën e Botës si kapiten i Francës, duke e cilësuar këtë si diçka jashtëzakonisht të vështirë, por të pabesueshme nëse do të realizohej.










