Pas dy dekadash të jetuara mes mureve të betonit dhe zinxhirëve çnjerëzorë, rasti i Pëllumb Elmadhit nga fshati Domen i Rrogozhinës është bërë simboli i dhimbshëm i dështimit institucional për kujdesin ndaj personave me çrregullime të shëndetit mendor në Shqipëri. Falë emisionit investigativ “Tak Fak” në News 24 dhe angazhimit të gazetares Rovena Cërka, historia tronditëse e Pëllumbit ka dalë në dritë, duke alarmuar opinionin publik dhe duke vënë përballë përgjegjësisë institucionet shtetërore.
Pëllumbi, i cili vuante nga skizofrenia, ishte mbajtur prej mbi 20 vitesh i izoluar dhe i lidhur me zinxhirë nga familja, në kushte të papranueshme për një qenie njerëzore. Pas denoncimit, ai u transferua në Spitalin Psikiatrik Rajonal në Elbasan, ku mori trajtim mjekësor sipas protokollit. Megjithatë, skema e trajtimit parashikon një qëndrim të përkohshëm në spital, përpara se pacienti të rikthehet në komunitet. Në rastin e Pëllumbit, rikthimi në “burgun” e shtëpisë do të ishte një kthim në të shkuarën e errët që ai sapo kishte lënë pas një histori të dhimbshme. Edhe Familja e Pëllumbit nuk ka pranuar ta mbajë atë.
Gazetarja Cërka ka apeluar publikisht ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, Shërbimit Social, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që të marrin përgjegjësi të menjëhershme, jo vetëm për Pëllumbin, por për dhjetëra raste të tjera të ngjashme që janë zbuluar pas publikimit të këtij rasti. Ajo shprehet se ky nuk është vetëm një apel gazetaresk, por një thirrje morale për veprim, për të mos lejuar që qytetarët më të pambrojtur të shndërrohen në viktima të neglizhencës institucionale.
Postimi i gazetares Rovena Cërka:
Një tjetër qytetar në mëshirë të fatit – Shqipëria pa strehë për të sëmurët mendorë
Menjëherë pas publikimit të rastit tronditës të Pëllumb Elmadhit, i cili u mbajt i izoluar për mbi 20 vite nga familja e tij në fshatin Domen të Rrogozhinës, për shkak të diagnozës së skizofrenisë, një lumë mesazhesh dhe videosh kanë mbërritur në adresën time. Dhjetëra familje shqiptare po përballen me të njëjtin realitet të heshtur dhe tragjik: mungesën totale të infrastrukturës rehabilituese për të sëmurët mendorë në Shqipëri.
Një ndër këto raste më është dërguar nga nëna e një burri 40-vjeçar, i cili, sipas saj, është mbajtur i lidhur që prej lindjes për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Kjo grua e moshuar kërkon ndihmë, jo vetëm si nënë, por si një qytetare e lënë pas dore nga shteti. Bashkia e Lushnjës, ku familja jeton, nuk ka ofruar asnjë mbështetje – ndërkohë që, sipas dëshmive të banorëve të zonës, ndihma sociale jepet në mënyrë selektive, në bazë të bindjeve politike të familjeve. Kjo është një akuzë e rëndë, e cila meriton vëmendjen e menjëhershme të institucioneve të hetimit dhe të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Nga dita kur e referova këtë rast pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nuk është marrë asnjë masë konkrete.
⸻
Ndërkohë, rasti i Pëllumb Elmadhit vijon të mbetet alarmant. Ai u dërgua në Spitalin Psikiatrik Rajonal “Sadik Dinçi” në Elbasan, ku, sipas protokollit, ka marrë trajtim psikiatrik. Por trajtimi i tij spitalor ka një afat: në përfundim të ndërhyrjes së specializuar, pacienti duhet të dalë dhe të vazhdojë jetën jashtë institucionit. Në këtë rast, familja është informuar se Pëllumbi do të duhej të rikthehej në shtëpi.
Familjarët, megjithatë, refuzojnë kategorikisht të kujdesen për të. Ata më kanë kontaktuar personalisht, duke më kërkuar të gjej një strehë alternative për Pëllumbin. Kam qenë për ditë të tëra në kontakte me institucione shtetërore, organizata jofitimprurëse dhe qendra private – por në mungesë të strukturave publike për kujdes afatgjatë të personave me çrregullime të rënda mendore, i vetmi opsion i mbetur janë qendrat private, ku çmimi minimal është 700 euro në muaj – shumë që kjo familje nuk mund ta përballojë.
Kam bërë përpjekje maksimale për t’i ardhur në ndihmë. Në shumë raste, kam gjetur telefonin e institucioneve të mbyllur, ose kam hasur në refuzim të hapur. Pëllumbi jeton në një dhomë të betonizuar, të mbushur me urinë dhe jashtëqitje – një ambient me më pak dinjitet dhe higjienë se një qeli paraburgimi në komisariatin më të largët të vendit. Gruaja e tij, që në fillim, më ka pohuar hapur se e kishte mbajtur Pëllumbin vetëm për të përfituar pensionin nga KEMP-i.
Ky njeri ka nevojë për ndihmë, për mbështetje profesionale dhe për një vend të sigurt ku mund të jetojë me dinjitet. Sot, jo vetëm që rrezikon të keqtrajtohet sërish nga familja, por edhe të humbasë jetën.
Më vjen keq që, në këtë rast, ndërgjegjja dhe ndjenja e përgjegjësisë – qoftë bashkëshortore, qoftë prindërore apo fëmijërore – nuk ekzistojnë. Familja është tërhequr nga çdo detyrim moral, duke e lënë një njeri të sëmurë në mëshirë të fatit.
⸻
Apel publik për veprim të menjëhershëm
I bëj thirrje publike Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Albana Koçiu, Drejtoreshës së Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror, znj. Reme Lala, Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme, si dhe çdo institucioni përgjegjës për mbrojtjen e jetës dhe dinjitetit të qytetarëve shqiptarë, që të ndërhyjnë menjëherë për të parandaluar një tjetër trajtim çnjerëzor dhe degradues ndaj një personi të pambrojtur.
Ne nuk mund të vazhdojmë të mbyllim sytë para vuajtjes së atyre që nuk kanë zë.
Heshtja institucionale është bashkëfajësi. Këta njerëz nuk kanë as zgjidhje, as përfaqësim, as shpresë. Dhe mbi të gjitha – nuk kanë kohë për të pritur.
Ky nuk është vetëm një apel gazetaresk. Është një akt moral. Sepse në një shtet që pretendon të jetë demokratik dhe social, nuk mund të ketë qytetarë që mbahen të lidhur me zinxhirë – fizikë apo institucionalë.