Në rrjetet sociale dhe media po qarkullon një mesazh, i pretenduar se është dërguar nga Arbjan Mazniku, me një urdhër që patronazhistët e Partisë Socialiste, të hapin profile të rreme në rrjetet sociale, për të sulmuar protestën dhe për të ndikuar “algoritmin”, për të cilin kryeministri u ankua se është fajtor për situatën e krijuar me protestat masive.
Krahas protestës, në rrjetet sociale ka patur reagime të shumta negative ndaj qeverisë, ndërkohë që socialistët kanë fajësuar shërbime të huaja, vende jo mike dhe “algoritmin” që u jep hapësirë manipulimeve.
“A mundemi ju lutem qe te kerkojme dhe nga 1 person per Bashki te ndare nga keta qe morem qe tju themi hapni nga 2 llogari instagrami 2 llogari tiktoku dhe 2 facebook fan page, ti hapin me emer mbiemer fiktiv jo te vertete te ndare nga keta qe morem te jete grup i vecant vetem per like comment dhe share por meshume per komente te luftojme dhe komentet”, thuhet në mesazhin që mban emrin e Arbjan Maznikut dhe po qarkullon në rrjete.

Mesazhi krijon përshtypjen se ka një grup të veçantë që merret me patronazhimin e rrjeteve sociale, ndërkohë që kërkohet edhe ndihma e “personave nga bashkitë”.
Megjithatë Mazniku ka reaguar duke deklaruar se mesazhi është i krijuar me inteligjencë artificiale.
“Siç mund të vërtetohet thjesht ky imazh është FAKE dhe i bërë me AI. Çuna keni përdor app te lodhur për t’a sajuar këtë”, shkruan ai.










