Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë katër autobusë në lagjen “Gafurr Muço” të qytetit të Lushnjës, në vendin e njohur si “ish-parku i autobusave”. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Sipas informacionit paraprak të policisë, dyshohet se zjarri ka rënë aksidentalisht në një nga autobusët e parkuar dhe më pas është përhapur duke përfshirë edhe tre mjete të tjera, në pronësi të shtetasve V. Z., B. M. dhe G. M.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit dhe përcaktimin e shkakut të zjarrit. Deri më tani nuk raportohet për të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Autoritetet pritet të japin më shumë detaje në vijim.