Kosova ka përforcuar kapacitetet e saj ushtarake duke u pajisur me sistemin antitank OMTAS nga Turqia, siç njoftoi Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. OMTAS, që është projektuar për të ndihmuar në neutralizimin e tankeve moderne dhe fortifikimeve ushtarake, ka rreze efektive veprimi deri në 4 kilometra. Kjo armë, e cila është e lehtë për tu transportuar dhe përdorur, ka një peshë totale prej 35 kilogramësh dhe është e aftë të operojë edhe në kushte të pafavorshme atmosferike.
Maqedonci theksoi se FSK ka ekipe të specializuara për përdorimin e këtyre sistemit. Gjatë mandatit të tij, ai ka siguruar edhe katër lloje të tjerë të sistemeve raketore antitank, duke përfshirë sistemet Javelin dhe Panzerfaust 3, për të përmbushur nevojat taktike të forcave ushtarake të Kosovës. Kjo lëvizje është pjesë e një strategjie më të gjerë për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të Kosovës, e cila ka nisur transformimin e FSK-së në një ushtri të plotë.
Përveç sistemit OMTAS, Kosova ka blerë edhe dronë “Bayraktar” dhe ka marrë si donacion mjete të blinduara “M-1117 Guardian” nga SHBA-të. Në vijim të këtyre përpjekjeve, Maqedonci deklaroi se janë duke u zhvilluar diskutime me Kroacinë dhe Shqipërinë për blerje të përbashkëta të armëve dhe përbashkëpunim në prodhimin e automjeteve taktike të blinduara.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes gjithashtu komentoi mbi shqetësimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka shprehur se ndjehet i kërcënuar nga aleancën ushtarake midis tri vendeve. Maqedonci theksoi se Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nuk kanë si objektiv për të provokuar ose kërcënuar Serbinë, por dëshirojnë të forcojnë kapacitetet e tyre mbrojtëse për të parandaluar kërcënimet e mundshme në rajon. Ai tha se ky bashkëpunim është i rëndësishëm për stabilitetin dhe paqen në Ballkan, duke e theksuar se militarizimi i Serbisë është një shqetësim që duhet të trajtohet me seriozitet.
Kosova po merr hapa të shpejtë drejt modernizimit të forcave të saj të armatosura, me një fokus të veçantë në blerjen e armëve nga SHBA-të dhe Turqia. Procesi i transformimit të FSK-së pritet të përfundojë brenda dekadës.











