Një iniciativë e re ndërkombëtare që synon të kufizojë përdorimin politik të fesë ka marrë formë konkrete në Dhomën e Komunave në Londër, ku më 26 mars 2026 u miratua “Deklarata e Westminster për Parandalimin e Abuzimit Politik të Fesë”.

Dokumenti adreson një nga faktorët më të qëndrueshëm dhe destabilizues të konflikteve globale: instrumentalizimin e fesë për qëllime politike. Ai parashikon vendosjen e standardeve më të qarta ndërkombëtare dhe hap rrugën për hartimin e një traktati global, me synim forcimin e barazisë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe rritjen e stabilitetit shoqëror.
Deklarata riafirmon se liria e fesë ose besimit është një e drejtë themelore e garantuar nga e drejta ndërkombëtare, por paralajmëron se keqpërdorimi i saj për interesa politike ka kontribuar në diskriminim, përjashtim dhe konflikte në shumë rajone të botës. Në këtë kuadër, kërkohen masa konkrete për ndalimin e këtij fenomeni përmes një arkitekture të re ligjore ndërkombëtare, më të qartë dhe më efektive.
Ndër nënshkruesit më të spikatur janë Liam Fox, ish Ministër i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar; Stephen Schneck, Komisioner i SHBA-së për Lirinë Ndërkombëtare të Fesë; Lincoln Bloomfield Jr., ish Ndihmës Sekretar i Shtetit të SHBA-së; Brian J. Grim, ekspert global për lirinë fetare; si dhe Krish Raval, themelues i Faith in Leadership.
Nisma është ndërmarrë nga organizata ndërkombëtare BPUR International në bashkëpunim me Grupin Parlamentar të të Gjitha Partive për Lirinë e Fesë ose Besimit në Mbretërinë e Bashkuar (APPG FoRB), me mbështetjen e deputetëve si Jim Shannon dhe Liam Fox.
Nga Shqipëria, dokumenti është firmosur nga Dr. Arben Ramkaj, Kryetar i Qendrës për Bashkëpunim Ndërfetar. Në reagimin e tij, ai i bëri thirrje qeverisë shqiptare të marrë rol aktiv në avancimin e kësaj nisme, duke theksuar se promovimi i saj është jetik në një kohë kur bota përballet me nivele të larta të polarizimit fetar dhe keqpërdorimit të fesë në arenën politike.
Në thelb, iniciativa synon të krijojë një kornizë ndërkombëtare që ndalon përdorimin e fesë si instrument pushteti apo presioni politik, duke ruajtur integritetin e besimit dhe garantuar barazinë mes qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare.
Mbështetësit theksojnë se deklarata është gjithëpërfshirëse dhe jo-konfrontuese: ajo nuk targeton asnjë fe apo shtet dhe nuk kufizon besimin fetar, por vendos standarde universale për të parandaluar manipulimin e fesë kur cenohen të drejtat themelore dhe stabiliteti shoqëror.
Nëse mbështetet gjerësisht nga shtetet dhe institucionet ndërkombëtare, kjo nismë mund të shënojë një hap të rëndësishëm në adresimin e një prej sfidave më komplekse të kohës moderne: ndërthurjes së fesë me pushtetin politik në një botë gjithnjë e më të polarizuar.











