Në Tropojë, mes qindra sfidave të përditshme, ka histori që shqetësojnë dhe prekin thellë zemrën e çdo qytetari.
Luçe Sadik Memaj, 66 vjeçe, ka sjellë në jetë dhjetë fëmijë, dy prej të cilëve, fatkeqësisht, humbën jetën nga varfëria. Tetë të tjerët ajo i rriti me shumë mundim, duke u mbështetur në ndihmën e organizatave humanitare dhe fetare.
Pas ndarjes nga bashkëshorti, drama e Luçes u shtua. Të rritur, fëmijët e saj, të gjithë mbi 25 vjeç, e kanë braktisur. Prej më shumë se një viti, asnjë prej tyre nuk e kontakton më.
Luçe ka punuar vetëm pesë vite në kooperativë dhe nuk përfiton pension pleqërie.
Ajo jeton në një dhomë 2×2, e dhënë nga bashkia në godinën e të pastrehëve, dhe merr vetëm 3 mijë lekë ndihmë sociale në muaj – një shumë që nuk mjafton as për bukën e gojës.
Për të siguruar ushqim, shpesh del e lyp në dyqanet e qytetit, duke ruajtur bukën për ditët që nuk ka çfarë të hajë.
Një histori dhimbjeje dhe braktisjeje që kërkon reagim dhe ndihmë nga shoqëria. Por ne nuk duhet ta harrojmë Luçen.











