Lazio ka dhënë një tjetër provë force në Serie A, duke mposhtur Juventusin 3-0 në “Allianz Stadium” dhe duke iu bashkuar Interit në krye të renditjes.
Skuadra e Gattusos dominoi për pjesën më të madhe të takimit dhe rrallëherë u vu realisht në vështirësi nga bardhezinjtë, të cilët tashmë ndodhen tetë pikë larg kreut.
Juventusi provoi të reagonte që në pjesën e parë. Kolo Muani gjeti rrjetën në minutën e 23-të, por goli u anulua për pozicion jashtë loje pas ndërhyrjes së VAR-it.
Lazio goditi më pas me Provstgaard, i cili fitoi duelin ajror ndaj Bremer dhe Lucumì dhe realizoi me kokë pas harkimit të Zaccagnit.
Para pushimit, bardhekaltrit iu afruan edhe golit të dytë, kur tentativa e Tavares u devijua nga Bremer dhe përfundoi në traversë.
Në pjesën e dytë, Spalletti provoi të ndryshonte ndeshjen duke aktivizuar Woltemade dhe duke kaluar me dy sulmues, por zgjedhja nuk dha efektin e pritur.
Lazio shfrytëzoi hapësirat dhe në minutën e 66-të Isaksen dyfishoi rezultatin. Danezi mori topin në të djathtë, u fut drejt qendrës dhe realizoi me të majtën në shtyllën e largët.
Juventusi hodhi gjithçka përpara në minutat e fundit, por ishte sërish Lazio që goditi. Dele-Bashiru shënoi golin e tretë dhe vulosi fitoren 3-0, ndërsa tifozët vendas shpërthyen në fishkëllima.
Për Lazion është një tjetër fitore që e mban në hap me Interin në krye. Për Juventusin, ndërkohë, kriza thellohet dhe presioni mbi Spallettin rritet ndjeshëm.











