Kryetari i PD, Sali Berisha, ka reaguar për herë të parë pas largimit të Engjëll Agaçit nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha e cilësoi Agaçin si “Don Agaçio dhuratëmadhi” dhe tha se “Don Agaçio është një nga kockat mafioze më të rrezikshme të Ballkanit”.
Ai ngriti akuza edhe ndaj Vali Bizhgës, e cila u largua nga detyra si shefe e kabinetit, duke pretenduar se në zyrën e saj, sipas tij me autorizimin e Kryeministrit Edi Rama, janë zhvilluar pazare që lidhen me projektin e Bypassi i Fierit.
Berisha u shpreh se të dy “janë minj që ikin kur mbytet anija”, por theksoi se, sipas tij, “ligji do të jetë i pamëshirshëm për të dy”.
Sali Berisha: Don Agaçio dhuratëmadhi është një nga kockat mafioze më të rrezikshme të Ballkanit. Me veprimtari mafioze kundër Shqipërisë dhe Italisë. Unë kam besim të madh se në të dy vendet ky mafioz do të bëhet përgjegjës para ligjit.
Kurse për Vali Bizhgën mund të them se si kurrë ndonjëherë në zyrën e saj natyrisht me autorizimin e Ramës, që s’duhet ta pranonte kurrë, se shefja e kabinetit i ka të qarta detyrat e veta, bëheshin pazare për Bypassin e Fierit.
I kam denoncuar me kohë, thirreshin kompanitë nga Vali Bizhga sikur të ishte shefja e supervizionit të punimeve. Të dy janë minj që ikin kur mbytet anija, për të mos u mbytur vetë. Por ligji do të jetë i pamëshirshëm për të dy.










