Në pistën italiane të Sestriere u zhvillua sot gara e tretë radhazi e vlefshme për Kupën e Botës për femra në ski. Dhe, për të tretën ditë me radhë garoi edhe 18-vjeçarja kuqezi Lara Colturi, e cila në garën e sllallomit u klasifikua e 13-ta.
Pas zbritjes së parë, Colturi u klasifikua në vendin e nëntë me kohën 54”58, ndërsa në zbritjen e dyta ajo humbi disi terren, duke dhënë kohën 57”59. Kështu, me kohën e përgjithshme 1’52”07, skiatorja kuqezi u rendit në vendin e 13-të.
Një tjetër paraqitje e mirë për Colturi, që zhvilloi tri gara në harkun e 72 orëve, duke qenë gjithnjë mes më të mirave dhe grumbulluiar pikë të rëndësishme. Lodhja u ndie disi në këtë garë të tretë për skiatoren kuqezi, surpriza e këtij sezoni.
Në pistën italiane të Sestriere u garua në tri ditë radhazi, e premte (Colturi e shtata në sllallomin gjigand), e shtunë (Colturi e gjashta në sllallomin gjigand) dhe e diel (Colturi e 13-ta në sllallom).
Në këtë garë fitoi skiatorja amerikane Mikaela Shiffrin, e cila dha kohën 1’50”33. Për skiatoren amerikane ky ishte suksesi nr.100 në garat e Kupës së Botës, një rekord absolut për një sportiste legjendë.