Debati dhe tensionet mes socialistëve dhe demokratëve vijuan edhe pas rinisjes së seancës plenare.
Menjëherë sapo rinisi seanca, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i kërkoi falje Albana Vokshit, ndërsa theksoi se nuk kishte qëllim ta fyente. Ai u shpreh se numri i telefonit që përmendi është një numër i Bashkimit Europian.
“Kjo situatë nuk ka të bëjë fare me gjithçka kam thënë unë, sepse nuk ka lidhje fare me ndonjë fyerje. Bëhet fjalë për një numër telefonik që në BE merret për të marrë informacion mbi Bashkimin Europian. Kush ka nevojë të marrë informacion mbi BE, ka një numër ku mund të marrësh informacion për vendimmarrjen e BE. Sa i përket keqinformimit, nëse kolegia Vokshi ndihet e fyer, unë i kërkoj ndjesë. Por nuk ka asnjë… Isha duke folur për reformën e BE-së. Ja ku e keni numrin me 0900 të BE-së, ku çdo qytetar i BE-së merr informacion për vendimmarrjen në BE. Kush do që ta përdorë këtë situatë për të nxitur protestat, për të frymëzuar dështimin e protestave, le ta marrin. Zonja Vokshi, nëse ndihesh e fyer, të kërkoj ndjesë. Ndërkohë, kryetar, për të gjithë atë lumë rrugaçërie të një njeriu që nuk njeh as din, as iman, as familje, sigurisht që unë dhe për dëmtimin e pajisjeve… në këto kushte kërkoj ndërprerjen e seancës deri kur të rikthehet normaliteti në sallë. Ndjesë nëse ndihet dikush i fyer”, tha Balla.
Menjëherë pas kësaj, me radhë deputetët e PD-së rimorën fjalën, ku kërkuan përjashtimin e Taulant Ballës. Por kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, tha se në zbatim të rregullores një deputet duhet të bëjë katër shkelje që të përjashtohet.
Në mes të tensionit, Balla e rimori sërish fjalën, ku sqaroi edhe njëherë se nuk kishte për qëllim të fyente askënd, ndërsa uroi 8 Marsin për të gjitha gratë dhe vajzat shqiptare. Edhe në këtë moment pati reagim nga ana e demokratëve.
Balla: “Unë dua t’u uroj të gjitha grave dhe nënave tona, si dhe motrave socialiste e demokrate që janë në këtë sallë, gëzuar 8 Marsin.”
Deputetët e PD-së: “Ky do rraf.”
Balla: “Kush foli? Kush e tha atë ‘ky do rraf’?” (nënqesh dhe kërkon nga kryetari Peleshi që të kalohet në votim).











