Këngëtarja e muzikës popullore Eglantina Toska është përballur me kritika pas publikimit të këngës së saj të fundit, e cila nga një pjesë e publikut u konsiderua si fyese dhe bullizuese ndaj grave. E ftuar në emisionin “Mes’dritë” në Vizion Plus, Toska sqaroi se kënga nuk është krijim i ri, por një këngë e vjetër popullore që ajo ka vendosur ta rikthejë.
“Këtë këngë e kisha sjellë te publiku para disa vitesh”, tregoi ajo, duke shpjeguar se e risolli pasi më parë nuk kishte mundur të publikonte videon për shkak të problemeve me shtëpinë diskografike.
Sipas këngëtares, teksti lidhet me një fabul të vjetër popullore dhe nuk synon të ofendojë gratë.
“Kush e ka gruan të hollë, hidh e prit si kokërr mollë. Kush e ka gruan e trashë, nga dysheku nxirre jashtë”, është teksti që shqetësoi publikun. Unë u preka nga një mesazh i një zonje që më tha ka edhe femra që janë sëmurë dhe nuk bien dot nga pesha. Për këtë u preka. Por nëse e dëgjon gjithë këngën, nuk flet për këtë kategoi njerëzish, flet për atë kategori që ha shumë.“
Këngëtarja theksoi se nuk ka pasur qëllim të lëndojë askënd. “Jam njeri që nuk dua të ofendoj apo të mërzis askënd. Kush më njeh, e di që përcjell vetëm pozitivitet”, deklaroi Eglantina Toska.











