Aventura e Álvaro Arbeloas në pankinën e Real Madridit nisi në mënyrën më të keqe, pas largimit të Xabi Alonso-s. Reali u befasua nga Albacete, një ekip nga Divizioni i Dytë, i cili e eliminoi në raundin e 1/8-ave të finales së Kupës së Mbretit. Kjo humbje i hoqi “Los Blancos” një tjetër mundësi për të fituar trofe këtë sezon.
Që në fillim të ndeshjes, Arbeloa mori vendime të papritura, duke lënë jashtë disa lojtarë kryesorë si Kylian Mbappé dhe Jude Bellingham, ndërsa aktivizoi disa talente nga akademia. Kjo strategji nuk funksionoi, pasi skuadra nuk arriti të ruante kontrollin e lojës. Pjesa e parë u mbyll 1-1: Albacete kaloi e para në avantazh me golin me kokë të Javi Villar, ndërsa Reali reagoi me golin e Mastantuonos, duke e barazuar rezultatin.
Në pjesën e dytë, Reali u përpoq të merrte frenat e lojës dhe të ishte më kërkues në sulm. Por në minutën e 84-t, Albacete goditi sërish, duke shënuar golin e dytë me Jefte për 2-1. Real Madridi ringjalli shpresat në minutën e 90-të, kur Gonzalo García barazoi në 2-2.
Megjithatë, gëzimi zgjati shumë pak, pasi Jefte shënoi përsëri dhe realizoi golin e tretë për Albaceten, duke i siguruar skuadrës vendase kualifikimin në çerekfinale. Për Realin, kjo ishte një tjetër goditje pas humbjes së mëparshme në finalen e Superkupës ndaj Barcelonës.
Për shumëkënd, kjo ndeshje reflekton vështirësitë që po kalon Reali dhe tregon se skuadra ka nevojë për ndryshime të shpejta në strategji dhe qasje, për t’i dhënë fund krizës.










