Kukës- Inspektori i IKMT-së në Drejtorinë Rajonale të Kukësit ka rënë në prangat e uniformave blu pasi kërcënoi Besart Totën, Drejtori Rajonal i IKMT-së.
Arrestimi i 46 vjeçarit u bë pas kallëzimit së Totës, i cili pretendon se u kërcënua pasi kishte konstatuar gërmimin e një toke në fshatin Krenzë, nga një 33 vjeçar (djali i xhaxhait të të arrestuarit).
Ky i fundit, do të hetohet në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kukës arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”, shtetasin D. H., 46 vjeç, banues në Kukës, me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të IKMT-së, Kukës.
Arrestimi i tij u bë pas kallëzimit të drejtuesit të Drejtorisë Rajonale të IKMT-së, Kukës, shtetasit B. T., se është kanosur për shkak të detyrës nga shtetasi D. H., në lidhje me një aktkonstatimi për gërmimin e tokës në fshatin Krenzë, nga shtetasi M. L. (djali i xhaxhait të të arrestuarit).
Në vijim të veprimeve, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin M. L., 33 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”, i cili kishte kryer gërmimin e dheut në zonën e fshatit Krenzë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës për veprime të mëtejshme.











